Ministria e Shëndetësisë në Kosovë ka njoftuar më 9 korrik se nga java e ardhshme, qytetarët do të mund të zgjedhin llojin e vaksinës kundër koronavirusit.
Aktualisht në Kosovë ka vaksina të prodhuesve Pfizer/BioNTech dhe AstraZeneca.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka ftuar të enjten qytetarët që të vaksinohen kundër koronvirusit, pasi sipas tij, ekspertët vlerësojnë se në vjeshtë pritet të ketë valë të re të pandemisë COVID-19
“Vjeshta duhet të na gjejë me sa më shumë qytetarë të vaksinuar. Është e vetmja mënyrë dhe me siguri se edhe nëse paraqitet një valë e re deri në vjeshtë, e që sipas ekspertëve është pothuajse e pashmangshme, vetëm të vaksinuar ruajmë shëndetin e njëri-tjetrit, shëndetin ekonomik, social, ruajmë mirëqenien tonë”, ka thënë Vitia.
Vitia ka folur edhe për hezitimin e qytetarëve që të marrin vaksinën AstraZeneca, por ka theksuar se vaksinat që përdorë Kosova janë të miratuara nga Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) dhe Administrata amerikane për Ushqim dhe Barna (FDA).
Ai ka thënë se ky hezitim po vjen pasi individë të papërgjegjshëm me ose pa vetëdije po shkaktojnë dëme në shëndetin publik.
“Një numër i qytetarëve kanë hezituar të marrin dozën e parë AstraZeneca dhe natyrisht nuk kanë pasur asnjë arsye. Këtu kanë kontribuar disa individë të papërgjegjshëm të cilët me ose pa dashje po i shkaktojnë dëme procesit të vaksinimit”, ka thënë ministri Vitia.
Më 3 korrik, Kosova ka pranuar mbi 182 mijë vaksina AstraZeneca, donacion nga Norvegjia.
Vitia ka thënë se 12 mijë dozave të këtij donacioni u skadon afati më 31 korrik, ndërsa pjesës tjetër në fund të gushtit.
Kosova, sipas Vitisë, deri më tani ka mbi 2 milionë vaksina dhe ka vaksina të mjaftueshme në stoqe.
Top Channel