Infermieri i ri Samuel Luiz, 24 vjeç, kishte dalë me miqtë në A Coruña kur u sulmua barbarisht.
Mijëra njerëz dolën sot në rrugët e disa qyteteve të Spanjës për të kërkuar drejtësi, barazi e mbrojtje pasi një homoseksual u rrah për vdekje gjatë asaj që policia beson se ishte një sulm homofobik.
24 vjeçari Samuel Luiz, u sulmua për vdekje në orët e para të së shtunës në A Coruña pas një konflikti që nisi jashtë një klubi nate.
Miqtë e tij thanë për të përditshmen vendase El Mundo se Luiz doli për të marrë një telefonatë jashtë barit kur dy kalimtarë e akuzuan se po i filmonte me celular.
Luiz shpjegoi se po fliste më një shok në video, por u sulmua nga një prej kalimtarëve që e la me një shenjë në fytyrë nga goditja.
Sipas raportimeve, sulmuesi ishte kthyer disa minuta më vonë me 12 të tjerë, të cilët rrahën Luiz derisa humbi ndjenjat. Ai u dërgua në spital por vdiq mëngjesin e të shtunës.
Sulmi barbar është ende duke u hetuar por ka ngjallur zemërim të gjerë në Spanjë dhe ka shkaktuar demonstrata në A Coruña, Madrid, Barcelona, Valencia, Salamanca, Bilbao e Zaragoza.
Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez, dënoi vrasjen dhe ofroi ngushëllimet për familjen e viktimes.
José Miñones, delegati qeveritar në Galicia, tha se policia po ekzaminon nëse sulmi është motivuar nga homofobia. Ende asnjë arrestim nuk është bërë por policia thotë se po punon me regjistrimet e kamerave të sigurisë.
Vrasja vjen një javë pas paradës së përvitshme LGBT në Spanjë dhe disa ditë pasi qeveria socialiste e Sánchez aprovoi ligjin që forcon të drejtat e grupeve LGBTI.
Një studim i publikuar vjet nga agjencia e BE për të drejtat zbuloi se 41% e të anketuarve në Spanjë thanë se kishin dëshmuar diskriminim si anëtarë të komunitetit LGBTI dhe 32% thanë se i shmangeshin vendeve ku ndjeheshin të trembur, kërcënuar apo ngacmuar, si anëtarë të komunitetit LGBTI.
Top Channel