Një 30 vjeçare në Tiranë u arrestua pasi mashtroi persona të ndryshëm me ndihmën e shtetasve të huaj duke u zhvatur 100 mijë euro përmes pretendimit të rremë se ishin trashëgimtarë të një pasurie. Policia nisi hetimet pas kallëzimit nga një bankë e nivelit të dytë.
Njësia për Hetimin e Krimeve Kibernetike zbuloi se këta persona po kryenin vjedhje nëpërmjet internetit, pasi 30 vjeçarja e arrestuar u jepte të huajve llogarinë e saj bankare, me qëllim mashtrimin e shtetasve shqiptarë në internet. Për këtë qëllim,ajo u ka dërguar dhe kartën e saj bankare, së bashku me kodin përkatës, jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, me qëllim tërheqjen e këtyre shumave monetare nga këta shtetas në këmbim të 10 për qind të shumës së zhvatur.
Nuk dihet ende se kush janë të huajt që zbatonin skemën kriminale. Njësia e Hetimit Kibernetik u bën thirrje qytetarëve të ruhen nga “Mashtrimi i trashëgimisë” kur dikush ju kontakton me e-mail apo rrjete sociale ose me letër dhe ju thotë se ju jeni trashëgimtar i një njeriu të pasur që nuk jeton më apo se ka rënë viktimë e një incidenti dhe i duhen para.
Njësia e Hetimit Kibernetik në Policinë e Shtetit ju kërkon ta denonconi menjëherë. Kini kujdes nëse ju kërkohet të kontaktoni një adresë të postës elektronike si @Yahoo, @Hotmail apo të tjera të ngjashme. Si rregull, firmat e ligjshme nuk i përdorin ato.
Top Channel