19 vjeçari Jack Callahan, ka thënë në polici se nuk është fajtor për vrasjen e babait të tij pasi ishte duke tentuar ekzorcizëm për të larguar prej tij “demonin e alkoolit” të quajtur “Dani i lig”. Trupi i Scott Callahan u gjet në fund të liqenit Creek Pond, në Boston, SHBA.
Në gjyqin e të akuzuarit u tha dje se adoleshenti kishte mbytur babanë e tij gjatë një rituali të mesnatës teksa përpiqej të “largonte demonët që kishin marrë kontrollin e tij”.
Jack Callahan u arrestua kur nëna e tij thirri policinë pasi i biri po vepronte sikur të ishte “jashtë kontrollit.”
I riu kishte ardhur në shtëpi rreth orës 2 të mëngjesit, i qullur i tëri dhe lajmëroi nënën e tij se nuk gjente dot babanë.
Ai ishte kthyer në shtëpi pasi duhet të merrte babanë nga një bar.
Por policia u instruktua të kërkonte në parkun Crooker Memorial në Boston, ku gjetën Scott në fund të liqenit.
Burri u dërgua në spital ku dhe u shpall i vdekur.
Adoleshenti i tha më pas policisë se po përpiqej të largonte “djajtë e alkoolit” nga i ati, duke “e pagëzuar” atë me ujë.
Prokurori i Plymouth, Shanan Buckingham tha në gjykatë: “Ai besonte se po e pagëzonte babanë e tij. Po e mbante babanë në liqen me kurriz, siç mban prifti beben, dhe vazhdimisht i fuste kokën në ujë. E bëri këtë katër deri në tetë herë. Kur babai niste të kollitej të mbytej, ai ia nxirrte kokën nga uji. Ndërsa kur babai niste të rezistonte apo të luftonte, ai ia fuste kokën përsëri në ujë”.
Buckingham tha se djali kishte vazhduar ta bënte këtë derisa babai nuk jepte më shenja rezistence.
I riu tha më tej se i kishte dhënë një mundësi zgjedhjeje të atit, duke thënë: “E lashë aty që të vendoste, nëse do të vijë me mua në parajsë, apo të shkojë në ferr. Besoj se ai zgjodhi ferrin”.
Incidenti kishte nisur kur Jack kishte shkuar të merrte të atin nga bari. Ky i fundit sapo kishte dalë nga një qendër për të alkoolizuar, thanë autoritetet.
57-vjecari, i cili kishte gjithashtu një plagë në tru, raportohet se ishte i dehur kur i biri Jack erdhi ta merrte.
Ata kishin marrë një taksi, por mjeti kishte devijuar kur nëna i kishte telefonuar për t’i thënë se nuk e donte në shtëpi Scott, kështu që djali drejtoi taksinë në liqenin e parkut Crocker.
Jack shton se një përleshje nisi mes tij e të atit, kur ky i fundit e kishte goditur, dhe me tej vijoi episodi ne liqen.
Gjykatësi kishte dërguar të riun për një vlerësim psikiatrik. Prokurori tha se i akuzuari mund të jetë rrezik edhe për veten.
Gjyqi rinis në gusht ndërsa Callahan iu mohua liria me kusht.
Top Channel