National Geographic: Bota ka një oqean të pestë!

24/06/2021 12:17

Brezat në mbarë botën janë rritur duke memorizuar një fakt bazik të gjeografisë: Toka ka 7 kontinente dhe 4 oqeane. Deri tani ama. National Geographic, një prej grupeve më të famshme dhe më të pranishëm të krijimit të hartave në botë, deklaroi zyrtarisht ekzistencën e një oqeani të pestë.

Ai quhet Oqeani Jugor, dhe është e gjithë masa e ujit që rrethon Antarktidën. Vendimi për të njoftuar ekzistencën e këtij oqeani të ri koincidoi me prezantimin e Planet Possible, iniciativa e re e National Geographic për të informuar, frymëzuar dhe fuqizuar njerëzit për një jetesë më të mirë në planet, thotë CNN. Gjeografi Alex Tait shpjegon se të gjithë oqeanet e botës janë të lidhura.

“Po flasim për rajone oqeanike, dhe tradicionalisht kanë qenë katër: Atlantiku, Paqesori, Indiani dhe Oqeani Arktik. Por prej shumë vitesh tashmë, shkencëtarë dhe të tjerë kanë përdorur termin Oqeani Jugor për të shpjeguar rajonin fizik të oqeanit që rrethon Antarktidën”.

Çfarë e bën atëherë ndryshe këtë oqean të ri?

“Nga ujërat e ngrohta të Atlantikut, Paqësorit dhe Oqeanit Indian, kalohet në ujërat shumë të ftohta të jugut. Edhe kripshmëria, bie. Ka një faunë të veçantë atje, balenat, lloje të caktuara fokash, pinguinët, peshqit dhe shpendët, janë me bollëk në Oqeanin Jugor bazuar në ata faktorë mjedisorë “, shpjegon ai.

Edhe pse shumë vende dhe organizata në të gjithë botën e njohin Oqeanin Jugor, jo të gjithë pajtohen me vendndodhjen e saktë të tij. National Geographic përdor zyrtarisht gjerësinë gjeografike 60 gradë në jug për të përvijuar kufirin ujor. Australia konsideron Oqean Jugor gjithçka nën jugun e saj. Përpos kësaj, edhe ndryshimi i klimës mund të luajë rol në përpjekjen për të përcaktuar se ku janë saktësisht kufijtë e tij.

Top Channel