Këto tregime, shkruar me synimin e artit sipëror, sjellin shqetësime jetësore, trazime e reflekse meditative të njerëzve që duan të shprehen për brengat e tyre të thella, plagët metaforike të thikave pa gjak.

Të palumturit e botës sikur janë zgjuar, u ka ardhur radha dhe duan të flasin.Thika pa gjak është një libër i shkëlqyer, i atillë që dinë të bëjnë mjeshtërit e prozës dhe të shkrimit letrar.
Mehmet KRAJA

Ka shumë mënyra për të lexuar një libër. Vëllimin e Zija Çelës e kam lexuar si shkrimtar dhe më ka befasuar bukuria e rrëfimit, larmia e subjekteve, natyrshmëria, ritmi, muzikaliteti dhe ngjyrimet e fjalës, trilli dhe lako nizmi, veçori të pranishme në secilin prej tregimeve. Një koleksion rrëfimesh sa shqiptare po aq universale, ngjizur me fantazi të pashtershme kreative dhe të harmonizuara në një libër të strukturuar gjithë origjinalitet.Thika pa gjak dëshmon sërish nivelin e lartë të këtij mjeshtri të denjë të prozës së shkurtër, që edhe në letërsinë botërore nuk janë shumë.

Lazër STANI

 

Pak fjalë për autorin

Zija Çela është një nga shkrimtarët më të njohur të letërsisë se sotme shqiptare. Dallohet për romane, novela, por ka shkruar edhe shumë tregime e ese letrare.Zija Çela ka lindur më 25 mars 1946 në qytetin e Shkodrës. Ishte fëmija i shtatë në një familje, ku i ati ishte punëtor dhe e ëma shtëpijake. Megjithëse kaloi një fëmijëri dhe rini të vështirë (babai i vdiq kur ishte vetëm pesë vjeç), ai arriti të diplomohej në Universitetin e Tiranës për letërsi. Në atë kohë, u emërua mësues në fshatrat malore të Kukësit. Në këtë qytet të vogël verior punoi për shumë vite dhe, kur ishte bërë i njohur me librat e tij, e transferuan në kryeqytet.

Në Tiranë punoi redaktor në revistën letrare“Nëntori”, ndersa nga 1984 – 1990 si kryeredaktor i gazetës letrare “Drita”. Në vitet ‘90 kjo gazetë luajti një rol të rëndësishëm në lëvizjen intelektuale për përmbysjen e sistemit totalitar. ..Njëkohësisht që nga viti 2000, i shquar gjithashtu si eseist dhe publicist, Çela bën jetën e shkrimtarit në profesion të lirë.
Si autor u bë i njohur shpejt nga librat me tregime, që u pasuan nga romanet e tij, duke spikatur veçanërisht me triptikun e romaneve “Gjaku i dallëndyshes”, “Gjysma e Xhokondës” dhe “Banketi i hijeve”. Më parë kishte botuar romanet “Një verë pa lamtumirë” dhe “Mali i tejdukshëm”, i cili per realizmin e fortë dhe modernitetin e formës, është cilësuar si rebelim i autorit ndaj metodës së socrealizmit. Autori është fitues i disa çmimeve letrare.

Top Channel