Një tjetër konflikt mes banorëve të Bënçës në Tepelenë dhe përfaqësuesve të një kompanie private që prej një viti ka ngritur një kantier ndërtimi buzë kanioneve të njërës prej degëve më të bukura të Vjosës u regjistrua këtë mëngjes.
Palët janë përplasur disa herë më parë por këtë mëngjes konflikti pëfundoi në konfrontim fizik. Aktivisti Auron Tare që ishte në kundërshti të veprimeve të kompanisë dorëzoi në polici një padi për dhunim fizik prej përfaqësuesve të kësaj kompanie.
Situata u agravua pasi kundërshtarët e ndërtimit të Hec-eve mbi Bënçë ju kanë kërkuar përfaqësuesve të kompanisë të largoheshin nga territori i tyre dhe kanë refuzuar të marrin pjesë në një dëgjesë publike të parashikuar prej kompanisë.
Aktualisht sipas tyre ndërhyrjet e paligjshme për të shfrytëzuar inertet po sjellin dëme të mëdha për faunën, bletët dhe gjithë hapësirat e kultivuara.
Prej disa vitesh banorët e kësaj zone janë duke protestuar kundër planit për ndërtimin e 8 Hec-ve të vegjël mbi lumin e Bënçës, 2 prej të cilëve i kanë nisur punimet. Ata kërcënojnë monumente të mbrojtura natyrore përfshi këtu kanionet e Nivicës, ujëvarat e Progonatit apo tarracat erozive të Bënçës.
Top Channel