Një grua me zemër të madhe, ish e shoqja e Jeff Bezos jep miliarda dollarë për bamirësi

16/06/2021 13:16

Miliarderja amerikane, MacKenzie Scott, ish-bashkëshortja e Jeff Bezos, e dëshmoi edhe një herë zemërgjerësinë e saj, duke dhuruar gati 3 miliardë dollarë për bamirësi.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, MacKenzie sqaroi se dëshiron t’u japë para atyre që janë “keqfinancuar dhe anashkaluar historikisht”. Për këtë arsye, ka vendosur që paratë e dhuruara së fundi t’i shkojnë 286 organizatave që trajtojnë pabarazinë racore, artet dhe arsimin. Që prej vitit 2020, ish-bashkëshortja e themeluesit të kompanisë së shitjeve online, Amazon, ka dhënë për bamirësi rreth 6 miliardë dollarë.

Pas divorcit prej tij në 2019-tën, shkrimtarja dhe filantropistja u bë një prej grave më të pasura në botë. Në kuadër të marrëveshjes, Scott përfitoi 4% të aksioneve të Amazon-it, pasi e pati ndihmuar ish të shoqin të fillonte biznesin në vitin 1994. Pavarësisht donacioneve të mëdha të saj, Scott renditet si personi i 22-të më i pasur i globit, me një pasuri që sipas Forbes, kap vlerën e 59.5 miliardë dollarëve.

FOTO GALERI
1/5

Top Channel