Pas vizitës në Kosovë, kandidati i Listës Studentore: Është pjesë e identitetit shpirtëror dhe kulturor serb
Papa Leone XIV u ka bërë thirrje familjeve të mos humbasin shpresën përballë vështirësive ekonomike dhe sociale, duke paralajmëruar se pasiguria në punë, dhuna në familje dhe varësitë po dëmtojnë marrëdhëniet familjare.
Gjatë meshës së mbajtur në Monumentin e Spanjollëve, në Buenos Aires, në kuadër të vizitës së tij në Amerikën e Jugut, Ati i Shenjtë foli për sfidat me të cilat përballen familjet në shoqërinë e sotme.
“Edhe familjet tona, në fakt, përjetojnë ndonjëherë situata komplekse: mungesë stabiliteti, vështirësi sociale, punë të pasigurt, dhunë në familje, ndarje të dhimbshme, varësi që shkatërrojnë dhe dëmtojnë marrëdhëniet familjare”, deklaroi Papa Leone XIV në homelinë e tij.
Pavarësisht këtyre vështirësive, ai u bëri thirrje besimtarëve të mos dorëzohen dhe të ruajnë shpresën, duke e cilësuar Krishtin si shkëmbin mbi të cilin duhet të ndërtohet familja.
“Krishti, që është ‘shkëmbi’, e mbështet shtëpinë dhe e mbron atë nga stuhitë”, tha Papa.
Sipas autoriteteve dhe të dhënave të raportuara për meshën, në këtë ceremoni morën pjesë rreth 2.5 milionë besimtarë, duke e bërë atë meshën më të frekuentuar të drejtuar nga Leone XIV që prej zgjedhjes së tij në krye të Kishës Katolike.
Në fjalën e tij, Papa Leone XIV theksoi rëndësinë e familjes në shoqërinë moderne, duke kundërshtuar idenë se modeli i familjes së krishterë është i tejkaluar.
“Mos u dorëzoni përballë zërave që përsërisin se familja e krishterë është e tejkaluar: përkundrazi, sot më shumë se kurrë, ajo përfaqëson një pikë të fortë mbështetjeje mes pasigurive të shumta të epokës sonë”, u shpreh ai.
Papa vlerësoi gjithashtu rolin historik të familjes në formimin e identitetit kulturor dhe shoqëror të Argjentinës.
“Historia, kultura dhe shoqëria e Argjentinës kanë gjetur te familja burimin prej nga kanë marrë vlerat themelore të popullit”, tha ai.
Sipas Papës, familja ka qenë hapësira ku janë përcjellë besimi, virtytet njerëzore, kultura e punës, respekti për të moshuarit, mbrojtja e jetës dhe besnikëria ndaj fjalës së dhënë.
Duke folur për rolin e familjes në edukimin shpirtëror të brezave të rinj, Leone XIV theksoi se besimi nuk përcillet vetëm përmes fjalëve, por edhe përmes veprimeve të thjeshta të përditshme.
“Në intimitetin e vatrës familjare, besimi përcillet së bashku me jetën përmes gjesteve më të thjeshta: bekimit para vakteve, një lutjeje para se të shkohet për të fjetur, faljes dhe dëgjimit të ndërsjellë, gjyshërve që mësojnë të luten, pjesëmarrjes në meshën e së dielës, përgatitjes për të bërë një tërheqje shpirtërore apo një pelegrinazh”, deklaroi Ati i Shenjtë.
Ai shtoi se familja është vendi i privilegjuar për të njohur dhe takuar Krishtin. Papa Leoni XIV u shpreh gjithashtu se familjet kanë një mision të rëndësishëm edukues, përmes të cilit përcillet dhe përhapet Ungjilli.
Në përfundim, ai kujtoi edhe paraardhësin e tij, Papa Françeskun, i cili kishte shërbyer si ipeshkëv i Buenos Airesit.
“Papa ynë i dashur Françesku, i cili ishte ipeshkëv i këtij qyteti, e ka shprehur këtë me pasion: ‘Familja është e thirrur të ndajë lutjen e përditshme, leximin e Fjalës së Zotit dhe kungimin eukaristik, për të rritur dashurinë dhe për t’u shndërruar gjithnjë e më shumë në një tempull ku banon Shpirti’”, citoi Leoni XIV.
Në fund të homelisë, Papa ia besoi familjet argjentinase Virgjëreshës Mari, Nuestra Señora de Luján, dhe Shën Jozefit, duke u lutur që çdo shtëpi të bëhet një tempull i pranisë së Zotit.
Top Channel