Biden godet ashpër Trumpin në librin e ri: Sulmi në Kapitol duhet ta ndjekë deri në varr

09/11/2026 18:32

Ish-presidenti amerikan Joe Biden rikthehet me akuza të forta ndaj Donald Trumpit në kujtimet e tij të reja, ku e akuzon atë për nxitjen e rebelimit të 6 janarit 2021, dëmtimin e institucioneve amerikane dhe përhapjen e urrejtjes.

“Ajo që bëri Trump atë ditë nuk duhet harruar kurrë”, shkruan Biden.

Përplasja mes Joe Bidenit dhe Donald Trumpit duket se nuk ka përfunduar as pas largimit të të parit nga Shtëpia e Bardhë. Këtë herë, ish-presidenti amerikan ka zgjedhur kujtimet e tij të reja për të rikthyer në vëmendje një nga kapitujt më të errët të politikës amerikane: sulmin ndaj Kapitolit më 6 janar 2021.

Në librin e titulluar “Premtomë, Amerikë” (Promise Me, Dad), Biden e akuzon drejtpërdrejt Trumpin se udhëhoqi një kryengritje me qëllimin për të qëndruar në pushtet, edhe pasi votuesit amerikanë e kishin larguar nga Shtëpia e Bardhë.

Në një fragment të publikuar nga revista The Atlantic, Biden shkruan se Trump dhe mbështetësit e tij nuk mund të justifikohen duke e paraqitur sulmin si një protestë paqësore.

“Ajo që bëri Trump më 6 janar 2021, nuk duhet harruar kurrë. Duhet ta ndjekë atë deri në varr”, është mesazhi i fortë i ish-presidentit amerikan.

Biden kujton se protestuesit kishin shkuar në Kapitol për të penguar certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, ndërsa kritikon edhe vendimin e Trumpit për të falur më shumë se 1,500 persona të dënuar për përfshirjen në ngjarjet e 6 janarit.

Sipas AP News, Kritikat e Bidenit nuk kufizohen vetëm te sulmi ndaj Kapitolit. Në kujtimet e tij, ai përshkruan administratën e Trumpit si një qeverisje që, sipas tij, është përpjekur të shkatërrojë institucionet amerikane dhe të përmbysë një pjesë të madhe të trashëgimisë së paraardhësit të tij.

Ai shpreh pakënaqësi për anulimin e politikave të miratuara gjatë presidencës së tij, veçanërisht atyre që lidhen me luftën kundër ndryshimeve klimatike.

Sipas Bidenit, Trump nuk ishte i interesuar të ndërtonte mbi arritjet e administratave të mëparshme, por dukej i vendosur t’i shkatërronte ato.

Ish-presidenti kritikon gjithashtu Departamentin e Efikasitetit të Qeverisë (DOGE), si dhe vendimet e marra nga administrata e re pas rikthimit të Trumpit në pushtet.

Një nga pjesët më interesante të librit është rrëfimi i një takimi mes Bidenit dhe Trumpit në Zyrën Ovale, disa ditë pas zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020.

Sipas Bidenit, gjatë bisedës Trump i kishte thënë: “E di, Joe, nëse nuk do të ishte për politikë, mendoj se do të ishim miq të mirë”.

Trump, sipas kujtimeve të ish-presidentit, kishte shprehur gjithashtu lehtësimin që nuk do t’i duhej të kandidonte kundër tij në atë periudhë.

Biden shkruan se gjatë takimit dy orësh u përpoq t’i shpjegonte Trumpit çështjet kryesore të politikës ndërkombëtare, nga lufta mes Rusisë dhe Ukrainës, te NATO-ja, konflikti në Lindjen e Mesme dhe marrëdhëniet me Kinën.

Megjithatë, ai thotë se Trump ishte më shumë i përqendruar te personalitetet e liderëve botërorë sesa te rëndësia e marrëdhënieve ndërkombëtare.

Ky takim, sipas Bidenit, e la me shqetësimin se pasardhësi i tij do të përmbyste një pjesë të madhe të punës së bërë gjatë katër viteve të presidencës.

Foto nga trazirat e Kapitolit, më 6 Janar 2021:

Top Channel