Polonia hap hetim për terrorizëm pas masakrës në Krakov, autori dyshohet i frymëzuar nga ideologjia e ekstremit të djathtë
Më 3 nëntor 1957, Bashkimi Sovjetik shkroi një faqe të rëndësishme në historinë e eksplorimit hapësinor, duke dërguar për herë të parë një krijesë të gjallë në orbitën e Tokës.
Ajo ishte Laika, një qenush endacak i marrë nga rrugët e Moskës, i cili u bë simbol i garës hapësinore mes Bashkimit Sovjetik dhe Shteteve të Bashkuara. Por pas këtij suksesi historik fshihej një histori tragjike, pasi shkencëtarët e dinin që në fillim se ajo nuk do të kthehej më në Tokë.
Laika u nis nga Kozmodromi i Baikonurit me anijen kozmike Sputnik 2, vetëm një muaj pasi sovjetikët kishin arritur të vendosnin në orbitë Sputnik 1, satelitin e parë artificial në histori. Misioni u realizua me urdhër të liderit sovjetik Nikita Hrushov, i cili kërkoi që një tjetër arritje hapësinore të realizohej përpara 40-vjetorit të Revolucionit Rus, më 7 nëntor 1957.
Afati shumë i shkurtër i la shkencëtarët me pak kohë për përgatitjet dhe jo të gjitha sistemet e anijes u zhvilluan siç duhej. Megjithatë, për projektuesin kryesor të programit hapësinor sovjetik, Sergei Korolev, ky ishte një hap i rëndësishëm drejt realizimit të ëndrrës së tij për të dërguar njeriun në hapësirë.
Pse u zgjodhën qentë endacakë?
Përpara misionit të Laikës, shkencëtarët sovjetikë kishin nisur një program të posaçëm për përzgjedhjen dhe stërvitjen e qenve që do të përballonin kushtet ekstreme të fluturimit hapësinor.
Ata preferuan qentë endacakë, pasi konsideroheshin më të fortë, më të qëndrueshëm dhe më të përshtatur për të përballuar vështirësitë. Femrat përzgjidheshin sepse ishin më të bindura dhe përshtateshin më lehtë me pajisjet e posaçme të anijes kozmike. Gjithashtu, qentë duhej të peshonin jo më shumë se 6-7 kilogramë.
Laika, emri i vërtetë i së cilës ishte Kudryavka, që përkthehet si “Kaçurrela e Vogël”, u konsiderua një prej kandidatëve më të përshtatshëm. Ajo përshkruhej si një qenush i dashur, i duruar dhe inteligjent, me sy të errët dhe shumë ekspresivë.
Viktor Yazdovsky, djali i shkencëtarit Vladimir Yazdovsky, i cili ishte përgjegjës për aspektin mjekësor të programit hapësinor sovjetik, kujtonte se kishte luajtur me Laikën kur ishte vetëm nëntë vjeç, pak kohë përpara nisjes së saj.
Babai i tij e kishte marrë qenin në shtëpinë e gjyshes, pranë Moskës, ku Viktori dhe motrat e tij kaluan kohë me të. Sipas tij, shkencëtari mendonte se Laika kishte nevojë të përjetonte ambientin e një shtëpie përpara udhëtimit të saj të fundit.
Pas prezantimit të saj për publikun, Laika u kthye në një heroinë kombëtare në Bashkimin Sovjetik. Megjithatë, realiteti i misionit ishte shumë më i hidhur nga sa u bë e ditur fillimisht.
Shkencëtarët sovjetikë e dinin se nuk kishin teknologjinë e nevojshme për ta kthyer një krijesë të gjallë nga orbita në Tokë. Për më tepër, sistemi i kontrollit të temperaturës në kapsulën e saj nuk ishte zhvilluar siç duhej.
Për shumë vite, autoritetet sovjetike pretenduan se Laika kishte mbijetuar në orbitë për disa ditë. Por në vitin 2002 u bë e ditur se ajo kishte ngordhur vetëm pesë deri në shtatë orë pas nisjes, si pasojë e temperaturave tepër të larta dhe stresit.
Të dhënat e regjistruara gjatë fluturimit treguan se Laika kishte arritur të dilte gjallë në orbitë dhe kishte përshkuar rreth Tokës për afro 103 minuta, përpara se të ndërronte jetë.
Misioni shkaktoi protesta ndërkombëtare
Lajmi se Laika ishte dërguar në një mision pa mundësi kthimi shkaktoi zemërim të madh në shumë vende të botës. Organizatat për mbrojtjen e kafshëve në Britani protestuan përpara ambasadës sovjetike, ndërsa pronarëve të qenve iu bë thirrje të mbanin një minutë heshtje në nderim të saj.
Protesta pati edhe në Nju Jork, ku dashamirës të kafshëve marshuan me qentë e tyre përpara ndërtesës së Kombeve të Bashkuara. Shoqata Amerikane për Parandalimin e Mizorisë ndaj Kafshëve dërgoi gjithashtu një letër proteste përmes Departamentit të Shtetit amerikan.
Reagimi ndërkombëtar ndikoi edhe në mënyrën se si u zhvilluan misionet e mëvonshme hapësinore, duke bërë që të përfshiheshin sisteme për rikthimin e sigurt të kafshëve në Tokë.
Më 19 gusht 1960, pothuajse tre vjet pas misionit të Laikës, sovjetikët dërguan në hapësirë dy qen të tjerë, Belka dhe Strelka. Ato përfunduan 17 orbita rreth Tokës dhe u kthyen shëndoshë e mirë të nesërmen.
Laika mbeti simbol i historisë së eksplorimit hapësinor
Pavarësisht fatit tragjik, Laika u kthye në një ikonë të programit hapësinor sovjetik. Imazhi i saj u përdor në pulla postare dhe zarfe përkujtimore, ndërsa emri i saj u vendos edhe në produkte të ndryshme të kohës.
Në vitin 2008, në Moskë u zbulua një monument rreth dy metra i lartë në nderim të saj. Ai paraqet një raketë që shndërrohet në një dorë, mbi pëllëmbën e së cilës qëndron një qen.
Viktor Yazdovsky e konsideronte fluturimin e Laikës një moment vendimtar, pasi tregoi se një krijesë e gjallë mund të mbijetonte në kushtet e mungesës së gravitetit dhe hapi rrugën për udhëtimet e ardhshme njerëzore në hapësirë.
Megjithatë, edhe brenda vetë programit sovjetik kishte zëra kritikë. Oleg Gazenko, shkencëtari që drejtoi programin e trajnimit të qenve dhe përzgjodhi Laikën, pranoi në vitin 1998 se sakrifica e saj nuk kishte sjellë njohuri të mjaftueshme për të justifikuar vdekjen e saj.
“Sa më shumë kohë kalon, aq më shumë më vjen keq për këtë. Nuk mësuam mjaftueshëm nga ky mision për të justifikuar vdekjen e qenit”, ishte shprehur ai.
Historia e Laikës mbetet edhe sot një nga episodet më prekëse të garës hapësinore, duke kujtuar njëkohësisht përparimin shkencor dhe çmimin e lartë që u pagua në emër të tij.
Top Channel