Flet për herë të parë e reja britanike e shpëtuar nga krokodili prej motrës binjake: E lumtur që dola e gjallë (fotot)

12/06/2021 16:00

Një turiste britanike që u nxorr nga nofullat e krokodilit në momente te fundit nga e motra binjake në Meksikë, ka folur për herë të parë.

28 vjeçarja Melissa Laurie u zgjua së fundmi nga koma dhe mbushte me lavde motrën e saj të guximshme që luftoi disa herë bishën vrasëse për të shpëtuar motrën e saj nga vdekja e sigurtë.

Melissa ishte vendosur në koma mjekësore nga doktorët prej plagëve të saj të rënda në këmbë e bark, të cilat kishin nisur të infektoheshin duke rrezikuar  infeksionin vrasës ‘sepsis’.

Ndërsa Georgia ishte vlerësuar si “e pamposhtur” për shpëtimin e motrës së saj identike nga nofullat e krokodilit duke e qëlluar atë me grushte, pasi kafsha rrotullonte motrën e saj në ujë si një “kukull lecke”.

Pas ngjarjes makabre në luginat e Puerto Escondido, Melissa tha për mediat britanike se ishte ‘mirënjohëse’ për heroizmin e motrës së saj.

“Jam mirënjohëse që dola e gjallë nga kjo, dhe që kisha Georgia që luftonte për të më mbrojtur. Është ndjesia më e bukur në botë”, tha ajo

Nëna e shqetësuar e binjakeve, Sue Laurie, tha se Georgia kishte dërguar një foto nga krevati i spitalit. “Georgia në dërgoi foton nga njësia e kujdesit intensiv, ku pamë për herë të parë Melissa. Duket shumë më mirë”, tha gruaja.

Lajmet pozitive vijnë pasi Georgia ishte shfaqur duke ecur jashtë spitalit meksikan në Oaxaca, disa ditë pasi ajo dhe Melissa u sulmuan nga krokodili.

“Mel ka akoma plagë të shumta, ka sytë e nxirë dhe të prera në fytyrë, në gjoks e në këmbë, ku krokodili e ka kafshuar dhe gërvishtur. Gjendja e saj mbetet delikate por të paktën është e qëndrueshme”, thotë e ëma.

Vajzat binjake po bënin një udhëtim turistik në lagunën meksikane të Manialtepec kur bashkë me guidën e tyre u futën për një zhytje në lagunën pranë brigjeve meksikane të Paqësorit.

Sean Laurie, babai i binjakeve, tha me heret se falë eksperiencës së Georgias si zhytëse, ajo arriti të shpëtonte motrën e saj.

“Ato po notonin pas muzgut në ujërat e veshur nga bimësia të lagunës, kur Georgia dëgjoi thirrjen e Melissa,” thotë ai, duke shtuar se ajo ishte zhytur për të kërkuar motrën por e kishte gjetur në sipërfaqe, me fytyrën nga uji.

“Kur ajo nisi ta tërhiqte drejt barkës krokodili sulmoi përsëri. Georgia duhej të luftonte me të, e goditi vazhdimisht me grushte në kokë”.

Motra e madhe e dy binjakeve, 33-vjeçarja  Hana, tha për mediat se familja ishte krenare për Georgia, e cila kishte luftuar tre herë me krokodilin.

“Georgia është mirë, është e lodhur dhe e stresuar,” shton Hana. “Është ende e frikësuar, por është zgjuar dhe ka plagë në duart. Melissa është në gjendje kome te induktuar.”

Binjaket kishin marrë një pushim nga puna e tyre vullnetare me kafshët në Meksikë, dhe bënë udhëtimin në lagunë.

Hana dhe familjarët shpreheshin të habitur nga ngjarja pasi diçka e tillë është shumë e rrallë.

Guida e tyre turistike ishte kujdesur për rezervimet në hotel, por kishte një reputacion për shoqërimin e turistëve në vendndodhje të rrezikshme, për të notuar ose zhytur, tha Hana.

“Ai shkoi në vendin ku jetojnë krokodilët dhe është kritikuar më parë për këtë, por motrat e mia nuk dinin gjë. Këtë e mësuam më vonë në spital”, shton ajo.

Lexo edhe: https://top-channel.tv/2021/06/08/e-reja-ne-koma-shpetohet-nga-e-motra-qe-lufton-me-krokodilin-gjate-zhytjes-turistike-ne-lagune-fotot/

 

FOTO GALERI
8/9
Prinderit e vajzave Sean e Sue do te shkojne ne Meksike per t'i vizituar

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA