E reja në koma, shpëtohet nga e motra që lufton me krokodilin gjatë zhytjes turistike në lagunë (fotot)

08/06/2021 18:59

Një e re britanike është në gjendje kome ndërsa u shpëtua nga motra e saj që luftoi me krokodilin që i sulmoi, teksa po kryenin një zhytje bashkë me guidën e tyre turistike në Meksikë.

28-vjeçaret Melissa dhe motra e saj binjake Georgia Laurie, po notonin në lagunën 15 km larg Puerto Escondido, në juglindje të Meksikës, kur Melissa u sulmua.

Jeta e saj u shpëtua nga e motra, e cila e gjeti pa ndjenja në sipërfaqen e ujit dhe luftoi me krokodilin teksa e tërhiqte të motrën përsëri drejt barkës.

Dy motrat po rekuperohen në spital, teksa Georgia ka pësuar plagë në duar, ndërsa Melissa është vendosur në gjendje kome nga doktorët për të shmangur infektimin e plagëve.

Sean Laurie, babai i binjakeve, tha se falë eksperiencës së Georgias si zhytëse, ajo arriti të shpëtonte motrën e saj.

“Ato po notonin pas muzgut në ujërat e veshur nga bimësia të lagunës, kur Georgia dëgjoi thirrjen e Melissa,” thotë ai, duke shtuar se ajo ishte zhytur për të kërkuar motrën por e kishte gjetur në sipërfaqe, me fytyrën nga uji.

“Kur ajo nisi ta tërhiqte drejt barkës krokodili sulmoi përsëri. Georgia duhej të luftonte me të, e goditi vazhdimisht me grushte në kokë”.

Motra e madhe e dy binjakeve, 33-vjeçarja  Hana, tha për mediat se familja ishte krenare për Georgia, e cila kishte luftuar tre herë me krokodilin.

“Georgia është mirë, është e lodhur dhe e stresuar,” shton Hana. “Është ende e frikësuar, por është zgjuar dhe ka plagë në duart. Melissa është në gjendje kome te induktuar.”

Binjaket kishin marrë një pushim nga puna e tyre vullnetare me kafshët në Meksikë, dhe bënë udhëtimin në lagunë.

Hana dhe familjarët shpreheshin të habitur nga ngjarja pasi diçka e tillë është shumë e rrallë.

Guida e tyre turistike ishte kujdesur për rezervimet në hotel, por kishte një reputacion për shoqërimin e turistëve në vendndodhje të rrezikshme, për të notuar ose zhytur, tha Hana.

“Ai shkoi në vendin ku jetojnë krokodilët dhe është kritikuar më parë për këtë, por motrat e mia nuk dinin gjë. Këtë e mësuam më vonë në spital”, shton ajo.

FOTO GALERI
1/5
28-vjeçaret Melissa dhe motra e saj binjake Georgia Laurie, po notonin në lagunën 15 km larg Puerto Escondido, kur Melissa u sulmua.

Top Channel