Burgoset prostituta që pajtoi ish-ushtarakët për zhvatjen e klientit të rregullt , miliarder britanik në Majorca (fotot)

12/06/2021 21:48

Dy ish-ushtarakë britanikë janë burgosur për zhvatjen me dhunë të një miliarderi në Spanjë, i cili u tradhtua nga bukuroshja e tij bullgare me pagesë.

Dy ish-ushtarakë britanikë, Benjamin Norman Stridgeon e Karl John Boorman janë burgosur dje nga nëntë vjet secili pasi pranuan rolin e tyre në grabitjen dhe planin e zhvatjes së një biznesmeni të joshur me anë të një prostitute të klasit të lartë.

Punonjësja e seksit Mima Petrova Ivanova nga Bullgaria, gjithashtu u dënua me nëntë vjet burgim pasi pranoi marrëveshjen me prokurorët për të treguar detajet mbi komplotin, u tha dje në gjyqin e treshes në kryeqytetin e ishullit spanjoll Majorca, Palma.

Padia ishte ngritur nga prokurori privat Jaime Campaner, i cili vepronte në emër të paditësit të paemëruar, që ishte manjat shërbimesh financiare. Në të thuhej se dy ish-ushtarakët britanikë e kishin kërcënuar “t’i heqim kockat si hala peshku”, nëse ai nuk i transferonte prostitutës rreth 200,000 paundë britanikë.

Dy burrat ishin paralajmëruar se mund të burgoseshin deri në 20 vjet secili nëse shpalleshin fajtorë për krimet e tyre, mes të cilave përfshihet grabitje e dhunshme, zhvatje dhe burgosje e jashtëligjshme.

Ata arritën të përfitonin dënimin e reduktuar vetëm për akuzat e grabitjes së dhunshme dhe zhvatjes.

Ivanova, për të cilën prokurorët thonë se paguhej 10 000 euro në muaj për rreth 10 takimet vjetore me biznesmenin, kishte ndihmuar grabitësit të futeshin në vilën e tij të pushimeve në Andratx, ku më pas ata e kishin terrorizuar miliarderin me hanxharë.

Biznesmeni raportohet se para disa muajsh kishte reduktuar pagesat mujore në rreth 6000 euro për prostitutën, dhe kjo besohet se ka qenë motivimi i saj për grabitjen dhe eposodin kryesor të terrorit ndaj tij, që ndodhi në 4 shtator 2019.

Kur kishte marrë fund terrorizimi i tij nga kriminelët, biznesmeni ishte dërguar në spital me probleme të zemrës, dhe më vonë kishte kryer transferimin 115,000 paundë për Ivanova ndërsa dy burrat u larguan me rreth 1000 paundë që morën nga një kasafortë.

Biznesmeni i moshuar raportohet se kishte drejtuar dhjetra kompani biznesi në 30 vitet e fundit, me të ardhura totale prej më shumë se 200 milionë paundë.

Në gjyq do të dëgjohen dhe pretendimet për lidhjet e Stridgeon e Boorman me grupin e motoristëve Hells Angels.

33 vjeçari Boorman, u përpoq të evitojë ekstradimin në Britani duke pretenduar se vuan nga stresi post-traumatik pas tre misioneve shërbimi ushtarak në Afganistan.

Ndërsa 38 vjeçari Stridgeon, mësohet se është një ish-instruktor fizik i ushtrisë britanike që më pas u bë trajner ‘bodybuilding’ dhe pronar palestre.

28 vjeçarja bullgare Ivanova, e cila kishte krijuar lidhjen e saj me biznesmenin e moshuar britanik që prej vitit 2012, i kishte kërkuar viktimës së saj të ngrinte volumin e muzikës për të lehtësuar hyrjen e bashkëpunëtorëve kriminalë gjate episodit.

Pala akuzuese tha: “Dy burrat kishin fytyrat e mbuluara me maska për të mos i identifikuar dhe mbanin doreza dhe mburoja ushtarake. Mima Petrova Ivanova i udhëhoqi ata drejt viktimës, të cilin e gjetën të zhveshur në tualet. Ata e morën me forcë duke e çuar në dhomën e gjumit ku e kërcënuan me hanaxharë ushtarakë”.

Boorman e Stridgeon të cilët besohet se ishin pajtuar nga prostituta, terrorizuan milionerin duke i treguar foto të fëmijëve të tij, ish-gruas, duke e kërcënuar se do të vrisnin anëtarët e familjes nëse nuk transferonte paratë.

FOTO GALERI
2/7
Te denuarit Benjamin Norman Stridgeon e Karl John Boorman

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA