Emigrantët sollën 169 milionë euro/ Nga janari deri në mars, 17 milionë euro më shumë se një vit më parë

11/06/2021 15:28

Emigrantët shqiptarë kanë dërguar më shumë para te të afërmit e tyre tremujorin e parë të këtij viti. Banka e Shqipërisë raportoi se në periudhën janar-mars remitancat arritën nivelin e 169 milionë euro, duke shënuar një rritje prej 17 milionë euro më shumë se kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë.

Kjo rritje vjetore e prurjeve të emigrantëve me rreth 11% lidhet kryesisht me lehtësimin e masave anti covid edhe nga shtetet e huaja. Sipas statistikave, dërgesat e tyre rezultojnë këtë periudhë edhe më të larta se në raport me tremujorin e parë të vitit 2019, që përllogariteshin në rreth 150 milionë euro.

Sipas bankës qendrore, pandemia ka bërë që emigrantët të përdorin gjithnjë e më shumë kanalet zyrtare për dërgesat e tyre kryesisht përmes sistemit bankar apo operatorëve të transferimt të parave, duke ulur kështu rrjedhimisht edhe prurjet e tyre në cash, si rrjedhojë e bllokimit të kufijve çka vështirësoi ardhjen e tyre në vend.

Një vit më parë, ndikuar së tepërmi nga situata e krijuar nga pandemia që preku edhe të ardhurat e emigrantëve pasi shumë shtete ku shqiptarët jetojnë e punojnë aplikuan masa kufizuese dhe karantinë totale bëri që mbështetja financiare nga jashtë të pësojnë rënie, veçanërisht pas tremujorit të parë të 2020-ës.

Referuar të dhënave të bankës qendrore, vitin e kaluar prurjet valutore të emigrantëve arritën në 673 milionë euro, në rënie kundrejt vitit 2019 kur vlera e tyre përllogaritej në rreth 702 milionë euro në total.

Remitancat që janë një ndër burimet kryesore të të ardhurave për shumë familje shqiptare kanë ndjekur një trend në rritje veçanërisht vitet e fundit, duke reflektuar kështu edhe nivelin e lartë të emigracionit.

Top Channel