Më parë e konsideroi si klon të Trump/ Joe Biden takohet me kryeministrin e Britanisë

10/06/2021 16:52

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden ka takuar ditën e sotme Kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar,  Boris Johnson.

Sipas burimeve të CNN,  pritet të diskutohet hapja e udhëtimeve midis SHBA dhe MB dhe heqja e kufizimeve që ishin vendosur për të ndaluar përhapjen e Covid-19.

Biden dhe Johnson pritet gjithashtu të bien dakord për një Kartë të re Atlantike të modeluar në deklaratën historike të bërë nga Presidenti Franklin D. Roosevelt dhe Kryeministri Winston Churchill në vitin 1941 që përcakton qëllimet amerikane dhe britanike për botën pas përfundimit të Luftës Botërore II, sipas këshilltarit të sigurimit kombëtar Jake Sullivan.

Karta do të përshkruajë përparësitë, vlerat dhe sfidat që përfshijnë mbrojtjen e demokracisë, rikonfirmimin e rëndësisë së sigurisë kolektive, ndërtimin e një sistemi tregtar global më të drejtë dhe të qëndrueshëm, luftimin e sulmeve kibernetike, adresimin e krizës klimatike, mbrojtjen e biodiversitetit dhe dhënien fund të pandemisë së koronavirusit.

Dinamikat personale midis udhëheqësve të Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë shpesh kanë luajtur një rol kryesor në “marrëdhëniet speciale” midis dy fuqive trans-Atlantike.

Roosevelt dhe Churchill ishin shumë të afërt, siç ishin Kryeministri Tony Blair dhe Presidenti i SHBA Bill Clinton, dhe më pas, për befasinë e shumë njerëzve, Bler dhe Presidenti i SHBA George W. Bush gjatë Luftës në Irak.

Johnson ishte i preferuari i ish-presidentit amerikan Donald Trump, i cili e vlerësoi atë për mbështetjen e tij për Brexit, tërheqjen e Britanisë nga Bashkimi Evropian. Gjatë fushatës 2020, Biden iu referua Johnson si një “klon fizik dhe emocional” i Trump.

Biden ende mban rezerva të thella për daljen e Britanisë nga Bashkimi Evropian, një veprim që Johnson e mbështeti dhe e ka mbështetur si kryeministër.

Top Channel