Greqia në grevë të përgjithshme/ Protesta masive të sindikalistëve grekë kundër rregullave të reja

10/06/2021 16:43

Me anë të një greve të përgjithshme 24 orëshe që ka filluar prej mëngjesit të sotëm sindikatat greke i japin një përgjigje dinamike  qeverisë që me projektligjin e ri që ka sjellë në parlament, kërkon të ndryshojë rrënjësisht marrëdhëniet e punësimit .

Sindikatat protestojnë kundër heqjes së 8 oreshit dhe kontratave kolektive, kundër liberalizimit të pushimeve masive nga puna ,uljes së pagesës së orëve jashtë orarit , heqjes të së dielës si ditë pushimi apo të drejtës së punëtoreve për të organizuar greva. Sipas sindikalisteve projektligji i ri shpërben legjislacionin e punës dhe legalizon arbitraritetin e punëdhënësve.

Tubimeve të ndryshme prej mëngjesit  në Athinë dhe qytetet e mëdha të vendit, të Konfederatës së nëpunësve shtetërorë ADEDY dhe Sindikate së punonjësve të sektorit privat GSEE, i janë bashkuar  kundër projektligjit të ri të karakterizuar si “xhungla e punësimit”, federatat e sektorit të shëndetësisë, punëtorë të sektorëve të ndryshme, të papunë, të rinj e të reja.

Gjithashtu  është ndërprerë krejtësisht puna në gjithë administratën shtetërore, në sektorin bankar, në metronë e Athinës, tek trenat  dhe te tramvajet, shërbimi urban punon me orar të kufizuar si dhe kanë ndryshuar oraret e fluturimeve.

Megjithëse për herë të dytë brenda një jave gjykata e ka konsideruar grevën e tyre të paligjshme, gjithë marinarët e 13 sindikatave të lundrimit kanë ndërprerë punën dhe anijet janë të ankoruara në porte.

Ndërkohë që  të gjitha mediat greke, shtetërore dhe private  heshtin për 24 orë, partia më e madhe opozitare “Syriza” ka theksuar në debatet e ashpra në parlament ditët e fundit se nuk do të lejojë kthimin e shoqërisë në shekullin e 19 dhe se ky projektligj tani do të aprovohet, kur ajo të vijë në pushtet do të jetë ligji i parë që do të ndryshojë.

Top Channel