Kryeministri Edi Rama nuk do të mungojë në seancën parlamentare ku do të vendoset për shkarkimin e Presidentit të Republikës Ilir Meta.
Jo vetëm që do të jetë i pranishëm në Kuvend, por Rama do të mbajë një fjalim për 30 minuta, ku mund t’i japë “lamtumirën” ish aleatit të tij.
Në listën e diskutuesve, rezulton se kryeministri është përfaqësuesi i qeverisë që do të ketë kohën më të madhe se të gjithë deputetët e pranishëm për të folur për shkeljet e Metës para, gjatë dhe ditën e zgjedhjeve të 25 prillit.
Rama ishte në një vizitë zyrtare në Bullgari, ku zhvilloi takime me krerët më të rëndësishëm të shtetit. Megjithatë, vizita e tij nuk zgjati pasi duhet të ishte i pranishëm në vendimin e rëndësishëm që do të japë Kuvendi për Presidentin e Republikës.
Seancën parlamentare e ka nisur Kreu i komisionit Hetimor për shkarkimin e Metës, Alket Hyseni, i cili po lexon gjetjet, dhe shkeljet e kushtetutës që supozohet të ketë bërë presidenti.
Në këtë përballje finale me Ilir Metën socialistëve u duhen 94 vota të cilat të vetëm nuk i kanë.
Megjithatë nuk pritet ndonjë surprizë por me interes do të shihet, numri total i votave pro shkarkimit, që do të prodhohen nga ky votim. Kujtojmë se Ilir Meta ka shprehur vendosmëri në qëndrimin në presidencë deri në korrik 2022.
Top Channel