Bashkimi Europian kaloi në veprime konkrete me Bjellorusinë duke bllokuar të gjitha fluturimet e nisura prej saj në hapësirën ajrore të BE-së e duke i mohuar qasjen në aeroportet e bllokut.
Edhe linjat ajrore europiane janë inkurajuar po kështu me forcë që të shmangin fluturimet mbi ish-republikën sovjetike.
Brukseli është tërbuar nga ngjarja e pak ditëve më parë, kur me mashtrimin e një bombe në bord, autoritetet bjelloruse detyruan uljen e një avioni të kompanisë Ryanair në Minsk vetëm që të arrestonin një gazetar opozitar bjellorus i cili ndodhej në bordin e tij.
Raman Pratasevich u mor nga avioni dhe ende mbahet nën arrest.Sipas agjencisë rajonale e trafikut ajror “Eurocontrol”, rreth 400 aeroplanë civilë zakonisht ndjekin rrugët ajrore që kalojnë mbi Bjellorusi. Disa kompani ajrore evropiane si Lufthansa, SAS dhe Air France kanë njoftuar tashmë se do të ndalojnë fluturimet mbi hapësirën e ajrore të Bjellorusisë.
Pratasevich u shfaq të enjten në televizionin shtetëror të Bjellorusisë, duke rrëfyer mes lotësh rolin e tij në protestën anti-qeveritare, por opozita këmbënguli se intervista ku aktivisti pranon komplotin për rrëzimin e presidentit Aleksander Lukashenko, ishte bërë me detyrim.
Top Channel