Tuneli i simulimit të shpejtësive ‘Mach 30’, çon Kinën ‘dekada përpara’ në garën aeronautike (fotot)

01/06/2021 16:19

Një shkencëtar kinez ka thënë së fundmi se një tunel i ri i erës që do të prezantohet së shpejti në Pekin e çon Kinën dekada përpara nga pjesa tjetër e botës, në garën e teknologjisë hipersonike.

Studiuesi i akademisë së shkencave kineze Han Guilai tha në një leksion javës që shkoi se tuneli i ri JF-22 në zonën Huairou të Pekinit, mund të simulojë kushtet e fluturimit për shpejtësi deri në 10 km në sekondë – ose rreth 30 herë më shpejt se zëri.

Sipas tij, bashkë me një impjant të ngjashëm ekzistues gjithashtu në Pekin, Kina kalon “20 deri në 30” vjet para Perëndimit.

Kina dhe vende të tjera si Rusia e SHBA po investojnë fuqishëm në zhvillimin e teknologjive të fluturimit hipersonik (më shumë se 7 herë më shpejt se shpejtësia e zërit) si për mjetet ajrore dhe armatimet.

Teknologjia futuristike bën të mundur lindjen e avionëve super të shpejtë në planetin tonë, dhe gjithashtu bën më të hapur fluturimet në hapësirë.

Guilai shtoi se një avion që fluturon në shpejtësi të tilla mund të arrijë temperatura deri në  10,000 gradë, kur molekulat e ajror mund të shpërbëhen në atome, duke krijuar ngarkesë elektrike.

“Ky nuk do të ishte më ajër me të cilin marrim frymë. Mjeti fluturues në fjalë, do të ishte sikur të notoje në baltë.

Eksperimentet moderne në të shpejtësive të larta në Kinë raportohet se nuk kryhen me anë të konpresorëve por me anë të shpërthimeve kimike, për të gjeneruar lëvizje të ajrit në shpejtësi super të larta.

Karburanti në tunelin JF-22 do të digjet 100 milionë herë më shpejt se në sobat e zakonshme shtëpiake, duke krijuar valë nxehtësie të ngjashme me ato të avionëve apo raketave super-të shpejta.

Tuneli i tillë më i avancuar i SHBA, LENS II simulon fluturime të kësaj shpejtësie që zgjasin 30 milisekonda.

Për krahasim, kohëzgjatja mesatare e fluturimit në JF-22 mund të arrijë 130 milisekonda, tha Guilai.

“Eksperimenti ynë zgjat shumë më tepër se i tyre, kështu që modeli i mjetit fluturues është shumë më i madh. Kjo përcakton pozitën tonë udhëheqëse në botë”, shtoi ai.

“Ka një shprehje kineze që thotë, duhet 10 vjet për të mprehur një shpatë. Por ne kemi shpenzuar 60 vjet për të mprehur dy shpata, dhe ato janë më të mirat”, tha studiuesi, duke iu referuar 2 tuneleve të super-shpejtesise.

FOTO GALERI
1/3
Një shkencëtar kinez ka thënë së fundmi se një tunel i ri i erës që do të prezantohet së shpejti në Pekin e çon Kinën dekada përpara nga pjesa tjetër e botës

Top Channel