Pamjet e fundit të dronit ‘kamikaz’ që përshkon llavën dhe lëshohet brenda vullkanit islandez Fagradalsfjall (fotot)

01/06/2021 15:45

Disa pamje të pabesueshme tregojnë së fundmi një dron që shpërbëhet nga llava e një vullkani aktiv në Islandë.

Vullkani Fagradalsfjall, 40 km larg kryeqytetit Reykjavik, nisi shpërthimin e tij spektakolar në mars, pasi kishte qëndruar “i fjetur” për afro 900 vjet.

Në pamje shihet droni që fluturon mbi vullkan në drejtim të kundërt me rrjedhjen e llavës dhe më tej lëshimin e tij brenda kraterit me llavën e vluar.

Pamjet u filmuan nga protagonisti i YouTube, Joey Helms, i cili tha: “Rreth vullkanit ka gaze të nxehta që lëshojnë turbulenca dhe gurët në ajër mund të godasin njerëzit. Kjo e bën edhe më të rrezikshme të fluturosh dronë në atë zonë”.

Vullkani i fjetur prej kohësh në gadishullin Reykjanes në jugperëndim të Islandës erdhi në jetë më 20 mars, pasi dhjetra mijëra mini-tërmete ishin regjistruar paraprakisht në zonë.

Prej atëherë qindra spektatorë kanë vërshuar në zonë për të dëshmuar lumin e llavës.

Islanda ka 32 sisteme vullkanike që konsiderohen aktive, që është numri më i lartë për një vend në Evropë. Vendi ka një shpërthim madhor vullkanik mesatarisht një herë në çdo pesë vjet.

Islanda ndodhet pranë bashkimit të Rrethit Arktik me linjën e Atlantikut të Mesëm, ku ndodhet  çarja madhore e fundit të oqeanit që ndan pllakat tektonike të Eurazisë dhe Amerikës Veriore.

Zhvendosjet e këtyre pllakave janë përgjegjëse për aktivitetin vullkanik në Islandë.

FOTO GALERI
1/4
Vullkani Fagradalsfjall, 40 km larg kryeqytetit Reykjavik, nisi shpërthimin e tij spektakolar në mars

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA