Kina ndryshon politikën, familjet mund të kenë tre fëmijë

31/05/2021 20:23

Kina njoftoi të hënën se çiftet e martuara mund të kenë deri në tre fëmijë. Ky është një ndryshim i madh nga politika e mëparshme që u lejonte çifteve deri në dy fëmijë, gjë që rezultoi në një rënie dramatike të lindjeve, në vendin më të populluar në botë, sipas një raporti nga Byroja Kombëtare e Statistikave.

Agjencia lajmeve “Xinhua” njoftoi se ndryshimi u miratua gjatë një takimi të byrosë politike të kryesuar nga Presidenti Xi Jinping. Për disa dekada, Kina lejonte që çiftet të kishin vetëm një fëmijë si mjet për të kontrolluar rritjen e popullsisë.

Ky vendim u hoq në vitin 2016, duke i lejuar çiftet të kishin dy fëmijë, por edhe ky vendim nuk solli rritje të qëndrueshme të lindjeve, pjesërisht pasi kostoja e lartë për rritjen e fëmijëve në qytetet kineze ishte pengesë për shumë çifte.

Sipas agjencisë së lajmeve “Xinhua” ky ndryshim do të shoqërohet me “masa mbështetëse, të cilat do të jenë të favorshme për përmirësimin e strukturës së popullsisë së vendit tonë, përmbushjen e strategjisë së vendit për të përballuar në mënyrë aktive një plakje të popullsisë”. Por masat mbështetëse për familjet ende nuk janë bërë të ditura.

Njoftimi solli reagime të shumta në rrjetet sociale kineze, ku shumë njerëz shkruanin se nuk kishin mundësi të rrisnin më shumë se një fëmijë.

Jam i gatshëm të bëj tre fëmijë nëse më jepni 5 milion juanë”, shkruante një përdorues në rrjetin social “Weibo”.

Në fillim të këtij muaji, Byroja Kombëtare e Statistikave publikoi një raport ku theksohej se gjatë një dekade popullsia në Kinë u rrit me ritmin më të ngadaltë që nga vitet 1950, duke arritur në 1.41 miliardë.

Të dhënat gjithashtu treguan se gjatë vitit 2020, ritmet e lindjeve ishte vetëm 1.3 fëmijë për grua të moshës së riprodhimit, niveli i njëjtë me shoqëritë të cilësuara të plakura si Japonia dhe Italia.

Gjithashtu të hënën, byroja politike e Kinës tha se do të rrisë moshën e daljes në pension, por nuk dha hollësi të mëtejshme./ VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA