Renato Myrtaj, djali i Faik Myrtaj, i cili mbeti i vrarë në 21 janar të vitit 2011 kërkon që të rihapen hetimet për vrasjen e babait të tij. Myrtaj shpreson që çështjen ta marrë në dorë SPAK.
“Për dy personat që është rihapur dosja e 21 janarit, në dijeninë time për Aleks Nikën nuk ka pasur një hetim të thelluar. Mesa kam marrë vesh unë, është hetim që ka bërë kërkesë policia. Shpresojmë që çështjen e Aleks Nikës dhe tre personave të tjerë ta marrë SPAK.
Ne thjesht kemi bërë kërkesën në Gjykatën e Lartë. Pres që cështjen ta marrë SPAK, mos të harrojmë që edhe Gjykata Speciale nuk është krijuar ende, por kjo cështje do i shkohet deri në fund. Është cështje kohe, thjesht kini besim. Themelet e reformës në drejtësi janë vendosur dhe kini besim se do shkojë deri në fund”, është shprehur ai.
Kujtojmë se Prokuroria e Tiranës ka pranuar kërkesën e policisë për të rihapur hetimin për vrasjen e Aleks Nikës më 21 janar të vitit 2011.
Por familjarët e viktimës janë kundër duke thënë se ky proces do dëmtojë gjyqin që ka nisur në Strasburg duke sjellë zvarritjen e çështjes.
Gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu ka realizuar ditën e djeshme një intervistë me Mark Nikën, xhaxhain e Aleks Nikës, i cili u shpreh se ndërhyrja e Prokurorisë së Tiranës dhe e policisë nuk do t’i shërbejë çështjes, dosjet e të cilës thotë se “ndodhen në Prokurori duke luajtur ping pong me të.”
Nika: Qëndrimi i prokurorisë së Tiranës në këtë moment gjykoj se është i pavend pasi dihet se çështjen e kemi denoncuar në Gjykatën e Strasburgut dhe sipas informacionit që kemi, është në gjykim e sipër. Ne mendojmë që kjo ndërhyrje e Prokurorisë së Tiranës dhe e policisë së Shtetit nuk do t’i shërbejë çështjes sonë pasi ka 10 vite që kjo dosje endet në sirtarët e Prokurorisë duke luajtur ping pong me të. Prokuroria e Tiranës nuk ka hetuar se kush ka dhënë urdhrin dhe kush janë ekzekutuar, nuk ka thirrur asnjë dëshmitar nga funksionarët e lartë të shtetit, qoftë të opozitës së kohës apo qeverisë Berisha. Besimin e kemi vetëm tek verdikti i Gjykatës së Strasburgut. Ne nuk e pengojmë Prokurorinë e Tiranës të kryejë veprimet hetimore që i shikon të arsyeshme, por në radhë të parë po presim vendimin e Strasburgut.
Veliu: Ju thoni që me riçeljen e këtyre hetimeve nga Prokuroria e Tiranës dëmtohet procesi gjyqësor që ju keni në Strasburg?
Nika: E pengon, mund të zvarritet se ka edhe atje që ka 10 vjet që është çështja në Strasburg dh eta marrë përsipër Prokuroria e Tiranës hetimin e çështjes, ata e zvarrisin ose presin verdiktin e Gjykatës së Tiranës për ta zgjidhur me një farë kompromisi. Vetë shteti shqiptar e zgjidh çështjen vetë dhe ne nuk kemi pse të shprehemi, kështu e gjykoj unë. Më duket se kjo ka stonuar në Prokurorinë e Tiranës se nuk kanë prova. Të dalin fajtorët e vërtetë se dihen se kush janë, janë pranuar nga Berisha dhe Basha se “Vrasjet i kemi kryer ne, por në rrethana të mbrojtjes së nevojshme”.
Veliu: Një prej provave të administruara është dhe plumbi që u gjet në kokën e Aleksin kur ishte në spital në Turqi.
Nika: Plumbi ka qenë sipas procesverbalit të Prokurorisë së Stambollit, ka qenë i dëmtuar. Në Tiranë është deformuar, kush e ka bërë deformimin? Deformimin duhet ta gjejë Prokuroria, ata po e lënë në heshtje, ata thonë po nuk gjete plumbin që ka goditur Aleksin, do pezullohet përsëri hetimi i çështjes.
Top Channel