Përplasja e Ramës me ministrin gjerman, ngrihet komuniteti turk në Gjermani

27/05/2021 15:49

Përplasja mes ministrit gjerman të Shëndetësisë, Jens Spahn e kryeministrit Rama pas deklaratave të Spahn për rritjen e numrit të infektimeve në Gjermani për shkak të udhëtarëve nga Ballkani, nuk i shpëtoi vëmendjes së mediave gjermane.

Frankfurter Allgemeine Zeitung publikoi një shkrim me titullin”Spahn mbron deklaratat për udhëtarët nga Ballkani” , ku përcillet reagimi i Spahn, i cili i hedh poshtë kritikat e ardhura si Rama edhe nga Komuniteti Turk në Gjermani se me këtë qëndrim, Spahn i hap rrugë stigmatizimit. Spahn u shpreh pak ditë më parë, se udhëtarët e kthyer vitin e kaluar nga Turqia dhe Ballkani në një masë të madhe kontribuan në rritjen e numrit të infektimeve në Gjermani.

Ai iu referua raporteve mbi gjendjen të Institutit Robert Kóch nga fundi i verës, e tha se “nëse shikoni vendet ku ka pasur infektime, në 10 vendet e para gjenden sidomos vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqia dhe vendet kryesore, ku udhëtojnë gjermanët”. Kryeministri shqiptar e akuzoi se po përdor ‘paragjykimet stereotipe’ kundër Ballkanit.”

FAZ i referohet të dhënave të Instutit në fjale, sipas të cilave  vërtet që gjysma e infektimeve lidheshin me vendet si Kosova, Kroacia, Turqia, Bosnje-Hercegovina dhe Bullgaria, por rritja ka qenë e lehtë, dhe ne pergjithesi në kohën nga korriku deri në mesin e shtatorit shifrat e infektimeve mbetën në nivel relativisht të ulët.” Veç kryeministrit Rama edhe Komuniteti Turk në Gjermani u shpreh i zemëruar për deklaratat e Jens Spahn.

Sipas agjensisë së lajmeve DPA, zëdhënësi i Komunitetit Turk, Serhat Ulusoy kritikoi Spahn, që vë në “dyshim të përgjithshëm grupe të tëra të popullsisë” dhe shtoi se ai “dëshiron fushatë me çdo çmim në kurriz të njerëzve”.

Top Channel