Në garën për kreun e PD-së do të mungojë përballje e kandidatëve. Ballafaqimin e vetëm për humbjen Lulzim Basha ka pranuar ta ketë vetëm me anëtarësinë.
“Dhe unë kam ardhur këtu sot t’ju kërkoj që të dalim jo vetëm të bashkuar por edhe të vendosur për vazhdimin e kësaj beteje. Sikundërse ju kërkoj që të jeni bashkë me mua në vazhdimin e kësaj beteje e cila kërkon lidership të sprovuar dhe të vendosur”, tha Basha.
Pas zgjedhjeve demokratët i pret analiza. Beteja ligjore vijon paralelisht me informimin e ndërkombëtareve.
“Por tani ndodhemi në një fazë e cila diktohet nga statuti, është vendosur nga institucionet e Partisë dhe pa diskutim as nuk mund ti mbivendoset dhe as do të zëvendësojê analizën e plotë të asaj që ka ndodhur në raport me zgjedhjet e 25 prillit. Përkundrazi dje dhe gjatë ditës së sotme ka përfunduar raporti i plotë dhe po përkthehet për tu dërguar kudo si hapi i parë për të avancuar më tej në këtë betejë”, u shpreh kreu i PD-së.
Në turin e takimeve ne Gjirokastër, Përmet dhe Tepelenë, Lulzim Basha mbrojti tezen se zgjedhjet janë vjedhur nga një regjim duke shmangur emrat e autoreve.
“Gjëja e parë që dua t’ju them, është mirënjohja nga shpirti për sakrificën në betejën e pabarabartë me një regjim që nuk la asnjë rregull loje pa shkelur, nuk la krim zgjedhor pa kryer”, tha ai.
Top Channel