Liderët botërorë mirëpritën sot armëpushimin, teksa Hamas dhe kryeministri hebre Benjamin Netanyahu mbeten armiqësorë e kercenues.
Dhjetra mijëra palestinezë të zhvendosur në Gaza nisën të riktheheshin të premten për të parë shkatërrimin në shtëpitë e tyre pas 11 ditë sulmesh ajror të Izraelit në luftën e tij me Hamas.
Qyteti i Gazës, në brigjet e detit Mesdhe u godit nga sulme intensive të gjuajtëve izraelitë dhe artilerisë që zhdukën ndërtesa të tëra, rrënojat e cilave janë ende të shkatërruara nëpër rrugë. Tashmë makinat ngjiten në trotuare për të shmangur krateret e bombave.
Agjencia e OKB për Palestinën, UNWRA, tha se rreth 66,000 banore që ishin strehuar nëpër shkolla po riktheheshin në shtëpi për të llogaritur dëmet madhore.
Teksa familjet kërkonin për zotërimet e tyre, grupet e shpëtimit nxorën sot nga rrënojat 10 të mbijetuar dhe pesë trupa viktimash, duke e çuar numrin total të të vrarëve në 243, duke përfshirë dhjetra luftëtarë të Hamas e 66 fëmijë. Më shumë se 1,900 u plagosën.
Në Gaza adoleshentët gërrmonin mes rrënojave për zotërimet e tyre të humbura dhe largonin rrënojat inerte nga rrugët, duke i ngarkuar ato në kamionë apo karroca me gomerë.
Në një rrethrrotullim në qendër, disa djem shihnin brenda një makine të shtrembëruar nga sulmet. Të tjerë që ishin izoluar të tmerruar në shtëpitë e tyre prej disa ditëve, dolën me familjet e tyre drejt bregdetit.
Në spitalin kryesor të Shifa, shumë nga të plagosurit po prisnin për herë të parë vizitorë, pasi më herët ishte tepër e rrezikshme të dilje.
Por megjithse liderët botërorë ngritën lart armëpushimin e nisur mëngjesin e sotëm, shumë nga tensionet që sollën luftën në Gaza mbeten të gjalla, megjithë njëfarë rritje të angazhimit të Uashintonit.
Sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken, tha se do të vizitojë rajonin në ditët në vijim “për të diskutuar përpjekjet për një të ardhme më të mirë për izraelitët e palestinezët”.
Disa orë pas armëpushimit Benjamin Netanyahu, paralajmëroi se Izraeli do të kundërpërgjigjet me forcë në rast sulmesh, ashtu si dhe lideri i Hamas, Ismail Haniyeh, tha se lufta ndaj Izraelit do të vazhdojë deri në çlirimin e xhamisë së al-Aqsa në Lindje të Jeruzalemit./TheGuardian/
Top Channel