Aleksandër Vuçiç u shpreh i gatshëm të takohet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti nga mesi i muajit qershor.
“Jam duke pritur që të më njoftojnë. Nëse do të jetë një ditë pushimi për mua do të shkoj, por nëse jo atëherë do të kërkojë që takimi të caktohet për një ditë tjetër”, citohet të ketë thënë presidenti serb, i cili shtoi është gjithmonë i gatshëm për bisedime dhe dialog.
Vetë Kurti e pohoi pas darkës së punës së liderëve të Ballkanit Perëndimor në Bruksel se do të takohej me presidentin e Serbisë në mes të qershorit në kuadër të përgatitjeve për vazhdimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, i cili ndërmjetësohet nga Bashkimi Europian. Por ai e bëri të qartë se në çfarë kushtesh do të ndodhë kjo.
“Duam dialog të përgatitur mirë, parimor, si palë të barabarta, në të cilën, natyrisht, thelbi është ai që tashmë e ka thënë edhe presidenti i ri amerikan, Joe Biden, por edhe shumë liderë të tjerë botërorë se zgjidhja e ka emrin në formën e togfjalëshit: njohja reciproke. Pra, as Serbia s’e njeh Kosovën, por as Kosova s’e njeh Serbinë dhe njohja reciproke është ajo që do të kontribuonte shumë për paqen, stabilitetin dhe sigurinë afatgjate në Ballkan”, ishte komenti i Kurtit.
Nga pohimet e BE-së, takimi i parë mes kryeministrit të Kosovës, Kurti dhe presidentit të Serbisë, Vuçic pritet të ndodhë para datës 22 qershor, dhe në këtë mënyrë të shënohet edhe rifillimi i dialogut.
Top Channel