Kryeministri Edi Rama bën me dije se numri i qytetarëve të vaksinuar që nga fillimi i pandemisë ka shkuar në 700 mijë.
Ditën e djeshme në mbledhjen e radhës të Këshillit të Ministrave kaloi kontrata për 500 mijë doza të tjera të vaksinës Coronavac, të cilat do të vijnë nga distributori turk, duke plotësuar kështu mungesën e saj, si në Tiranë edhe në rrethe.
Më herët, qeveria shqiptare kishte rënë dakord në parim për një sasi prej 1 milion vaksinash, por kontrata e parë u bë për 500 mijë, të cilat u aplikuan me shpejtësi te qytetarët, bazuar në planin e vaksinimit, ku pjesa më e madhe e qytetarëve ka bërë dozën e parë dhe vetëm disa prej tyre arritën të merrnin të dyja dozat.
Ka pothuajse një javë, që ata të cilët duhet të bënin dozën e dytë të vaksinës Coronavac, nuk u vaksinuan për shkak të mungesës së vaksinës. Përveç Tiranës, mungesa janë krijuar edhe nëpër qendra shëndetësore në rrethe.
Por, këtë të mërkurë, ka marrë miratimin në qeveri, sasia prej 500 mijë vaksinash të tjera, të cilat pritet të mbërrijnë së shpejti.
Top Channel