Video/ Trump zbarkon në Ankara, Presidenti amerikan ecën krah për krah Erdoganit pasi zbret nga avioni

07/07/2026 14:11

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka mbërritur në Ankara përpara Samitit të NATO-s, ku u prit nga Recep Tayyip Erdogan.

Në momentin kur Trump zbriti nga avioni, ai dhe presidenti turk ecën krah për krah njëri-tjetrit përpara pritjes nga garda ushtarake.

Vizita e Trump në Samitin e NATO-s vjen në një periudhë me diskutime të shumta për të ardhmen e aleancës, pasi administrata amerikane ka ngritur më herët çështjen e një rishikimi të rolit dhe angazhimit të SHBA-së brenda NATO-s.

Një nga temat e debatit ka qenë edhe çështja e Turqisë dhe programit të avionëve luftarakë F-35. Uashingtoni ka diskutuar mundësinë e rikthimit të Ankarasë në këtë program, pavarësisht përdorimit nga Turqia të sistemeve ruse të mbrojtjes ajrore S-400, një çështje që ka shkaktuar kundërshtime nga disa figura republikane dhe nga Izraeli.

Gjatë qëndrimit në Ankara, Trump pritet të zhvillojë edhe takime me Presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, si dhe me Presidentin e Sirisë, Ahmed al-Sharaa.

Top Channel