Sulmi vandal ndaj komisariatit numër 3, identifikohen 12 personat e përfshirë, një i arrestuar dhe katër në kërkim
Në Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile u mblodh Komisioni Teknik Këshillimor për masat ndaj sezonit të zjarreve.
Komisioni u kryesua nga Drejtori i Përgjithshëm i AKMC-së Haki Çako dhe nga përfaqësues të strukturave që kanë përgjegjësi në fushën e mbrojtjes civile.
Gjeneral brigade znj. Razije Mehmeti, zëvendësshefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, z.Arben Cara, drejtor i Përgjithshëm i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi, Skënder Brataj, drejtor i Përgjithshëm i Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, si dhe Dhimitraq Ziu, drejtor i Departamentit të Rendit dhe Sigurisë në DPPSH, folën mbi gatishmërinë për mbështetje tokësore dhe ajrore, kapacitetet logjistike dhe ndërhyrjet në mbështetje të strukturave vendore.
Gjatë mbledhjes u analizua situata e krijuar nga temperaturat e larta dhe u vlerësua angazhimi i strukturave vendore, rajonale dhe qendrore në menaxhimin e zjarreve.
Drejtori i Përgjithshëm i AKMC-së, Haki Çako, bëri të ditur se nga data 22 qershor deri më sot janë regjistruar 160 zjarre në të gjithë vendin.
“Ditët e para të muajit qershor dhe të muajit korrik, me temperatura të konsiderueshme kanë vënë në provë dhe në test, një angazhim të strukturave vendore, rajonale, por edhe kombëtare, të cilat janë suportuar nga të gjitha strukturat që janë prezent këtu, sikurse janë Policia e Shtetit, Mbrojtja nga Zjarri dhe Shpëtimi, Forcat e Armatosura, Urgjenca Mjekësore dhe njësi të tjera, të cilat janë në mbështetje me menaxhimin e këtyre zjarreve. Më duhet të theksoj se gjatë periudhës 22 qershor deri në ditën e sotme janë evidentuar dhe regjistruar 160 zjarre, nga të cilat 127 raste në sipërfaqe me bimësie, shkurre, ferra, pyje dhe mbetje urbane dhe 33 raste kanë qenë zjarre urbane, të cilat janë menaxhuar nga Mbrojtja nga Zjarri dhe nga Shpëtimi ” , u shpreh Çako.
Çako nënvizoi se Qeveria Shqiptare vijon të investojë në forcimin e kapaciteteve të mbrojtjes civile, përmes fondeve të kushtëzuara dhe mbështetjes së prefekturave, ndërsa theksoi se suksesi në përballimin e zjarreve kërkon edhe bashkëpunimin e qytetarëve që të raportojnë menjëherë çdo vatër zjarri, duke theksuar se sinjalizimi i hershëm mbetet një element kyç për ndërhyrje të shpejtë dhe efektive.
“Duke dëshiruar edhe njëherë të përcjellim mesazhin për të gjithë strukturat dhe për të gjitha njësitë e Pushtetit Vendor dhe për komunitetin, dëshiroj të theksoj se të gjitha kapacitetet e strukturave operacionale përbën vëmendjen absolute të Qeverisë Shqiptare me investime dhe me vlerësime të fondeve të kushtëzuara, por edhe me angazhimin e Prefekturave, do të vazhdojë të menaxhohet hap pas hapi duke dashur të sjellim edhe mesazhin se i gjithë ky kontribut i të gjithë strukturave dhe të gjitha kapaciteteve tona është i pavlefshëm pa një bashkëpunim, pa një reagim, por edhe një paralajmërim të hershëm i të gjithë komunitetit. Qendra Kombëtare e Emergjencave Civile në Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile është në gatishmëri 24/7, në komunikim dhe në koordinim intensiv me të gjitha qendrat dhe operatorët kryesorë të të gjitha strukturave operacionale, qofshin ato të Policisë së Shtetit, Urgjencës Mjekësore, të Mbrojtjes nga Zjarri e Shpëtimi dhe Forcat e Armatosura” , u shpreh Çako.
Top Channel