Shtetet e Bashkuara i dënuan komentet e presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, për popullin hebre, duke i cilësuar si “antisemitike”.

Një ditë pasi kreu i shtetit turk, e akuzoi presidentin amerikan, Joe Biden se i ka duart me gjak me mbështetjen që po i jep shtetit hebre në konfliktin me Gazën, Departamenti amerikan i Shtetit nxori një deklaratë ku theksohet se “gjuha antisemite nuk ka vend askund”.

Shtetet e Bashkuara janë thellësisht të përkushtuara për të luftuar antisemitizmin në të gjitha format e tij”, nënvizohet aty ndërsa i bëhet thirrje Ankarasë që ti bashkohet Washingtonit në përpjekjet për zgjidhjen e konfliktit mes izraelitëve dhe palestinezëve.

Tensionet ndërmjet ushtrisë izraelite dhe militantëve palestinezë në Rripin e Gazës kanë arritur nivelin më të lartë që prej vitit 2014. Erdogan, për kohë të gjatë, ka shprehur mbështetje për palestinezët, edhe pse Turqia është ndër vendet e pakta me shumicë myslimane që ka pasur marrëdhënie afatgjata me Izraelin.

Dënimi nga SHBA-ja erdhi pasi Erdogan e akuzoi Izraelin për “terrorizëm” kundër palestinezëve, duke thënë se kjo “është në natyrën e tij”. “Ata janë vrasës deri në atë pikë që vrasin fëmijë 5 ose 6 vjeç. Ata kënaqen vetëm duke thithur gjakun e tyre”, tha Erdogan.

Top Channel