Britania hap dyert për 100 mijë të rinj nga BE-ja, ja çfarë përfiton brezi i ri

19/11/2026 23:02

Mbretëria e Bashkuar është e gatshme të lejojë hyrjen e deri në 100 mijë të rinjve nga vendet e Bashkimit Evropian çdo vit, përmes një skeme të re të lëvizshmërisë së të rinjve.

Ky është një nga lëshimet kryesore të Londrës në negociatat me Brukselin, që synojnë rivendosjen dhe forcimin e marrëdhënieve mes dy palëve pas Brexit, raporton “The Guardian” .

Sipas marrëveshjes së arritur paraprakisht nga negociatorët, kuota vjetore është rritur nga 50-80 mijë në 100 mijë persona. Gjithashtu, është rënë dakord që kufiri i moshës për pjesëmarrësit të rritet nga 30 në 31 vjeç.

Skema do të jetë reciproke. Edhe të rinjtë britanikë do të kenë mundësi të udhëtojnë drejt vendeve të BE-së, në numër të barabartë me qytetarët evropianë që do të pranohen në Britani. Megjithatë, disa shtete anëtare, përfshirë Gjermaninë, janë të gatshme të pranojnë edhe numër të pakufizuar të rinjsh britanikë.

Marrëveshja synon t’u japë të rinjve mundësi më të mëdha për të jetuar, punuar dhe përfituar nga përvoja në anën tjetër të Kanalit të La Manshit.

Megjithatë, negociatat mes Londrës dhe Brukselit nuk kanë përfunduar. Të dyja palët po përpiqen të zgjidhin disa çështje të rëndësishme përpara samitit të së premtes, ku pritet të hidhen hapa të rinj drejt afrimit të marrëdhënieve.

Një nga mosmarrëveshjet kryesore lidhet me rregullat evropiane për ushqimin dhe bujqësinë. Britania kërkon të ketë një rol më të madh në diskutimet dhe vendimmarrjen për rregullat që do të ndikojnë drejtpërdrejt në tregtinë e saj me BE-në.

Sipas propozimit aktual, Mbretëria e Bashkuar do të duhet të përafrojë legjislacionin e saj me standardet evropiane për sigurinë ushqimore, shëndetin e kafshëve dhe mbrojtjen e bimëve. Në këmbim, do të përfitonte një marrëveshje që synon të lehtësojë tregtinë e produkteve ushqimore dhe bujqësore.

Megjithatë, Brukseli nuk është i gatshëm t’i japë Londrës të drejtën për të marrë pjesë në vendimmarrjen për hartimin e ligjeve të reja. Britania mund të konsultohet dhe të ketë një zë në proces, por nuk do të ketë të drejtë vote, pasi nuk është më anëtare e Bashkimit Evropian.

Franca shihet si një nga vendet që kundërshton më fort përfshirjen më të madhe të Britanisë në grupet e punës të BE-së për këto çështje.

Një tjetër pikë e pazgjidhur janë tarifat universitare për studentët evropianë që dëshirojnë të studiojnë në Britani. Negociatorët po diskutojnë nëse ata duhet të paguajnë tarifat e njëjta me studentët britanikë apo tarifat më të larta që aplikohen për studentët ndërkombëtarë.

Palët synojnë të nënshkruajnë tre marrëveshje gjatë samitit, duke shënuar një hap të rëndësishëm në afrimin e marrëdhënieve pas largimit të Britanisë nga Bashkimi Evropian.

Nga ana tjetër, qeveria britanike kërkon garanci edhe për përfshirjen e saj në politikën e ardhshme tregtare të BE-së, veçanërisht në iniciativën “Made in Europe”, e cila lidhet me mbështetjen e prodhimit evropian dhe tarifat tregtare.

Zyrtarët britanikë argumentojnë se industritë e vendit janë të lidhura ngushtë me zinxhirët e furnizimit evropian dhe se vendimet e Brukselit mund të ndikojnë drejtpërdrejt te bizneset britanike.

Negociatat po zhvillohen në një moment të rëndësishëm për marrëdhëniet mes dy palëve. Pas samitit të së premtes, pritet të nisin diskutime për një marrëdhënie më afatgjatë, ku në të ardhmen mund të shqyrtohen edhe mundësi për një afrim më të madh me tregun e vetëm evropian.

Kështu, gati gjashtë vite pas përfundimit të periudhës së tranzicionit të Brexit, Londra dhe Brukseli po përpiqen të ndërtojnë një partneritet më të ngushtë, ndërsa skema për 100 mijë të rinjtë shihet si një nga hapat konkretë të këtij afrimi.

Top Channel