“Tauktae” lë pas shkatërrim/ 90 persona të zhdukur në det për shkak të ciklonit

18/05/2021 18:15

Më shumë se 90 persona janë të zhdukur pasi një anije pranë brigjeve të qytetit të Mumbait, në Indi, u mbyt në kushtet e një cikloni të ashpër.

Marina indiane tha se kishte shpëtuar 177 persona nga 270 që ndodheshin në bord dhe se përpjekjet për të gjetur të tjerë të mbijetuar po vijonin. Tre anije të tjera komerciale, me rreth 700 persona në bord, ishin bllokuar në det në mesin e ciklonit Tauktae, që është përplasur mbi bregun perëndimor të Indisë.

Tauktae u dobësua pasi preku tokë të hënën, por të paktën 12 vetë kanë humbur jetën në stuhi.

Anija e mbytur, në pronën e indianes Oil and Natural Gas Corporation, mbante në bord personel të dislokuar për shpime në det. Kur stuhia goditi, anija nuk mund të kontrollohej më.

Një zëdhënës i marinës indiane tha se ishin silokuar tre luftanije për të shpëtuar të mbijetuarit si edhe tre anijet e bllokuara komerciale. Dy prej tyre janë pranë brigjeve të mumbait ndërsa e treta është pranë Gujaratit.

Fillimisht i klasifikuar si shumë i ashpër, cikloni preku tokën në shtetin Gujarat të hënën vonë me erëra që kapnin shpejtësinë e 160 km në orë. Ajo për pak e kurseu Mumbain, por anijet në det nuk mundën të ktheheshin në port në kohë.

Era ka rrënuar zonat bregdetare në shtetin perëndimor Gujarat, duke shkulur shtylla elektrike dhe pemë me rrënjë. Rreth 200 mijë njerëz u evakuuan në disa shtete ndërsa cikloni afrohej duke sjellë me vete shira të rrëmbyeshëm dhe erëra të forta. Stuhia e goditi rajonin në mesin e një vale të dytë vdekjeprurëse të koronavirusit që ka gjunjëzuar vendin.

FOTO GALERI
1/4

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA