Kapja e 400 kg kokainë në kamion, kryeprokurori mesazh grupeve kriminale: Të vendosur të luftojmë rastet e tilla deri në fund

17/05/2021 20:21

Në portin e Durrësit mbërriti disa ditë më parë një sasi e madhe droge e cila ishte vënë në ndjekje nga policia italiane dhe ajo shqiptare. Ngarkesa e drogës ka udhëtuar drejt Kosovës dhe në Lipjan është ndalur nga Policia e Kosovës.

Pas kontrollit të mjetit është gjetur një sasi prej 400 kilogram kokaine.

Pas këtij operacioni, përfaqësues të prokurorisë së Kosovës, të SPAK-ut nga Shqipëria dhe anti mafies italiane u mblodhën në një konferencë live për të treguar për rezultatet e këtij operacioni.

Kryeprokurori i Prokurorisë së Posaçme të Shqipërisë, Arben Kraja, u shpreh se SPAK është përfshirë në hetimin e këtij rasti që në momentet e para që kanë ardhur informacione nga autoritetet e huaja.

Kryeprokurori ka një mesazh për të gjithë ata persona të cilët merren me aktivitete kriminale: “Jemi të vendosur të luftojmë rastet e tilla deri në fund”.

Kraja: SPAK ka qenë e përfshirë në hetimin e këtij rasti që në momentet e para që ka ardhur informacioni nga autoritetet e huaja. Dua të them se ka dy momente që duhen vlerësuar. E para është që organizatat kriminale siç e shihni ushtrojnë aktivitetin në një territor shumë të gjerë, nga Brazili deri në Kosovë, duke kaluar në shumë territore dhe kjo tregon se kanë arritur shkallët e rrezikshmërisë së tyre, por nga ana tjetër reagimi që bënë institucionet tona, tregon se nëse do jemi të gjithë bashkë pa diskutim do jemi të suksesshëm. Bllokimi i një sasie të tillë prej rreth 400 kg kokaine tregon se efektiviteti i gjithë strukturave tona ishte në lartësinë e duhur. Jemi të vendosur të luftojmë rastet e tilla deri në fund. Ky është një mesazh për të gjithë ata që ju shkon mendja të merren me aktivitete të tilla kriminale.

Drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti bëri me dije se policia kishte informacion për kontenierin që prej datës 3 maj dhe më pas është ruajtur nga njësitë e Kosovës deri ditën e sotme, kur pas orës 11:00, të dyshuarit filluan aktivitetin kriminal.

Ndër të tjera theksoi se janë arrestuar 7 persona nga Kosova, janë konfiskuar 400 kg kokainë me vlerë 20 milionë euro, 1 armë dhe lloje të ndryshme të veturave që gjendeshin në depo.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA