Pas vendimit të PD për të shkuar në zgjedhje për kryetarin e ri të partisë më 13 qershor, ka reaguar ish-kryetari i Partisë Bindja Demokratike, Astrit Patozi.
Në një status në facebook, teksa zbulon se mbajtja e zgjedhjeve për kreun e PD më 22 korrik në 2013, u propozua nga vetë ai, në ditën e lindjes së tij, Patozi shkruan se sot kupola e PD i ka hequr një siklet të madh.
Patozi shkruan se edhe nëse Sali Berisha do të kandidonte për kryetar të PD, ai nuk do të kishte besimin e tij.
Postimi
“Për ata që nuk e dinë apo nuk e mbajnë mend, 22 korriku është ditëlindja ime dhe kam qenë unë, që e kam propozuar të jetë dita e zgjedhjeve për kryetarin e PD në vitin 2013.
Asokohe mbaj mend bezdinë e Sali Berishës me kokën ulur në mbledhjen e kryesisë, por edhe ia njoh “meritën”, që nuk e kundërshtoi, sepse ndoshta të tilla ishin rrethanat.
Ndërsa sot i falenderoj të dy njëkohësisht, Lulzim Bashën dhe doktorin, për vendimin e tyre të fundit që zgjedhjet për kryetarin e PD do të zhvillohen më 13 qershor.
Të paktën më kanë hequr një siklet të madh. Sepse më ishte krijuar bindja se deri sa të vdisja, do të duroja që një herë në katër vjet, dhe çdo 22 korrik, të merrja njoftimin e rizgjedhjes së Lulzim Bashës si kryetar të Partisë Demokratike (pas humbjes).
Të paktën, 22 korriku nuk do të jetë më datë historike, dhe kjo nuk është arritje e vogël.
Sa për ata që do të ndjekin dhe do të mbështesin procesin e 13 qershorit, nuk kam asnjë koment. Midis tyre dhe Lulit me doktorin, do të zgjidhja gjithmonë këta të dytët. Por unë e kam marrë tashmë prej kohësh vendimin, nuk zgjedh asnjërin prej tyre, ndaj edhe jam jashtë çdo konflikti interesi.”.
Top Channel