Këto janë pamjet e një dite më parë në sallën një tetori të Prishtinës ku po vaksinohen të moshuarit.
Ata shtyheshin me njëri tjetrin në një situatë që më shumë përhapte Covid se sa përpiqej ti imunizonte ata. Ndërsa kjo është pamja një ditë më pas. Vendosja e rregullit erdhi pasi qytetarët u lajmëruan që të paraqiten sipas radhës kur kanë marrë njoftimet. 78 vjeçari, Faik Vitia kishte aplikuar para dy jave, por mbrëmë është kontaktuar për vaksinim në termin të caktuar.
Vitia: “Kam aplikuar para dy jave apo tri ashtu. Nuk e shoh të rrezikshme sa po flitet, por nuk është as aq e dobishme. Por, pasi thotë një fjalë popullore ‘me krejt dynjanë’, edhe unë po i përshtatem shumicës. InshAllah kalon sa më shpejt edhe çlirohemi prej kësaj”.
Kishte provuar ditët e fundit të vaksinohet, por që pasi kishte parë rrëmujën ishte kthyer.
Vitia: “Është qëllimi që me popull tonë është shumë zor me dirigjuar. Se nuk është aq e thënë me bo turr ashtu. Se unë kam mundur me ardh por kur e pash situatën edhe jam kthyer. Duhet me pas durim”.
Për Faik Ibishin, 77 vjeç, kishte aplikuar djali dy ditë më parë.
Ibishi: “Dje qysh e pash në televizor, sot mirë… thash me siguri e kanë rregulluar gjendjen se dje për besë nuk e di qysh kanë vepruar… Unë kam qenë i interesuar me marrë edhe jam, nuk kam kurrfarë frike ne për vjet i marrim për grip. Por, më mirë me marrë e mos me pas telashe njeriu se gjithë atë vesin se po ma ngjet dikush, a po ja ngjes dikujt”.
Pati edhe të tjerë të cilën nuk patën mundësi për vaksinim. 69 vjeçari nga Prishtina, Selatin Shala tregon se nuk ishte në dijeni se duhet të aplikojë përmes platformës online.
Shala: “Dje, pardje, tollovi e sene thash për numër, po më thanë jo se duhet vetëm për qasjes më rrjet me këta me u marrë vesh, me të thirr. Nuk kam aplikuar se së pari nuk e kam ditur as ku e qysh. Edhe e dyta kjo është se më thanë me numër, vjen e merr numrin edhe sipas numrit vjen paraqitesh. Por edhe kjo nuk është bash me një vend në Prishtinë është e madhe, shumë gabim i madh është kjo”, thekson ai për KosovaPress.
Në njoftimin e djeshëm të Ministrisë së Shëndetësisë thuhet se në qendrën e vaksinimit “1 Tetori”, mund të vaksinohen vetëm ata të cilët janë kontaktuar nga kjo ministri. Ndërsa vaksinimi do bëhet edhe në komunat e tjera gjatë dy ditëve.
Top Channel