‘Luftëtari’ irlandez rrëzon Messi e Ronaldo nga froni i sportistëve më të pasur të botës (Emri-fotot)

14/05/2021 19:26

Conor McGregor është shpallur së fundmi atleti më i pasur në botë, për herë të parë nga revista Forbes, duke lënë prapa ikonat e futbollit Lionel Messi e Cristiano Ronaldo.

Por kjo nuk duket se vjen nga aktiviteti i tij sportiv, por ai i biznesit.

McGregor ka fituar rreth 140 milionë dollarë në 12 muajt e fundit të dominuar nga pandemia globale, dhe për këtë falenderon shitjen e aksioneve të tij në kompaninë e uiskit ‘Proper 12’.

Nga duelet e tij në ringun Octagon, McGregor ka fituar vetëm rreth 18 milionë dollarë, pasi humbi në sfidën e tij të dytë me Dustin Poirier në janar të këtij viti në Abu Dhabi.

Ndërsa Lionel Messi, i cili ka qenë në faqet e para të gazetave 12 muajt e fundit prej kërkesës për t’u larguar nga Barcelona, renditej i dyti me $110 milionë nga kontrata e tij pesë-vjeçare $600 milionëshe me klubin.

Rivali i madh i Messi-t, Ronaldo, aktualisht sulmues i Juventus, renditej i treti me vetëm $100 milionë.

Ndërsa McGregor, përveç shitjes së kompanisë së uiskit, ka shtuar fitimet e tij edhe me anë të angazhimit në kompanitë DraftKings, video-game Dystopia dhe ‘Roots of Fight’.

Kjo është vetëm hera e tretë që një sportist fiton më shumë se $60 milionë jashtë sportit të tij, dhe ka ndodhur më parë me golfistin Tiger Woods e tenistin Roger Federer.

McGregor është gjithashtu luftëtari i parë i arteve marciale të përziera që del në krye të listës së Forbes, dhe irlandezi i parë që e bën këtë.

Sulmuesi i futbollit amerikan Dak Prescott ($90mln) dhe basketbollisti i NBA, LeBron James ($80m) përbënin dy vendet e tjera të pesë më të pasurve të Forbes.
Futbollisti i PSG, Neymar renditej në vend të gjashtë, ndërsa tenisti Roger Federer – i cili kryesonte listën vitin e kaluar, ishte në vend të shtatë pasi kishte fituar vetëm $75 milionë.

Më tej lista përfshinte kampionin e Formula 1, Lewis Hamilton, futbollistin amerikan Tom Brady, dhe basketbollitin amerikan Kevin Durant me rreth $60 milionë.

FOTO GALERI
2/7
Lionel Messi, i cili ka qenë në faqet e para të gazetave 12 muajt e fundit prej kërkesës për t’u larguar nga Barcelona, renditej i dyti me $110 milionë

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA