Bledar Birçaj u ekzekutua dje me armë zjarri brenda makinës së tij, në në lagjen “Hajro Cakërri”, në Vlorë.

Kjo nuk është vrasja e vetme, e ndodhur në mes të ditës në qytetin bregdetar. Në muajin shkurt, Gentian Qarri u vra nga disa atentatorë që lëviznin me makinë në lagjen ”29 Nëntori”, teksa vetë Qarri po ecte në këmbë.

Sipas gazetarëve, sfidojnë ligjin dhe synojnë të japin mesazhe. Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha tregon se viktimat, pothuajse në të gjitha rastet, kanë qenë persona të njohur nga policia për lidhjet që kanë pasur me krimin dhe specifikisht me “pazaret e drogës”. “Është një person që ka pasur probleme me ligjin. Kjo tregon fuqinë e madhe që ka marrë krimi dhe dështimin e autoriteteve, përfshirë policinë lokale dhe prokurorinë e Vlorës, që nuk ka zbardhur disa ngjarje. Dyshohet se Bledar Birçja ka qenë i angazhuar në disa përplasje, sa i takon çështjeve të drogës, vjedhjeve të ngarkesave të drogës jashtë Shqipërisë.
Shumica e personave që janë vrarë nga krimi i organizuar, kanë lidhje me çështje të drogës. Vrasja e Gentian Qarrit, një person me të kaluar kriminale, u vra sërish në Vlorë në 6 shkurt, ka qenë i dënuar për çështje droge. Vrasja e Bardhok Pllanaj gjithashtu. Këta persona nuk dalin për herë të parë në skedat e policisë”.

Gazetari Enrik Mehmeti argumenton se si këto vrasje bëhen qëllimisht në mes të ditës dhe në ambiente të populluara, për “show”. “Duket sikur vetë porositësit apo autorët, sikur kanë dashur vetë që pamjet të dalin në pah, sepse e kanë realizuar vrasjen në një vend që ka mbi 12 kamera përsipër.
Është rikthyer prapë stili mafioz i vrasjeve në mes të qytetit, në mes të ditës dhe i vrasjeve me mesazh. Vrasjet që kanë ndodhur në mes të ditës, që quhen vrasje me “show”. Në vitet e kaluara i kemi hasur shpesh, vitet e fundit kanë qenë kryesisht mbrëmjeve, ose me djegie makine”, shpjegon Mehmeti.

Më tej, tregon arsyet që e bëjnë këtë vrasje, ndryshe nga të tjerat dhe më të sofistikuar. “Por kjo e fundit, vrasja e djeshme ka qenë shumë e sofistikuar, me mjete dhe mënyra të sofistikuara. Ishte si një operacion i forcave komando, sepse momenti i vrasjes ka qenë aq shumë preciz. Goditjet ndaj drejtuesit të makinës, kanë qenë një në kokë, një goditje në krah dhe një në kraharor. Kanë qenë në një bordurë, dhe e kishin llogaritur që do makina do ulte shpejtësinë.
Në raste të tjera është djegur automjeti, në këtë rast nuk është gjetur automjeti. Nuk u gjet as arma, as automjeti, as gëzhojat. Kemi të bëjmë me mjeshtra, me profesionistë. Armët janë aq të sofistikuara, aq precize, që nuk i kemi parë në vrasjet e tjera”.

Anila Hoxha shton se krimi i organizuar tregon epërsinë e tij dhe ka disa mënyra. “Jo vetëm duke eleminuar kundërshtarin, por duke vrarë pa llogaritur asgjë, duke sfiduar autoritetet”, thotë gazetarja.

Top Channel