“Katër pedagogë u arrestuan sot në Shkodër”, Avokati jep detaje: Merrnin para nga studentët për provime! Reagon universiteti “Luigj Gurakuqi”

26/04/2024 19:31

Avokati Arben Llangozi i ftuar në “Breaking” tha se vetëm ditën e sotme janë arrestuar katër pedagogë në Universitetin e Shkodrës.

Sipas avokatit, këto arrestime janë bërë sepse dyshohet se pedagogët kanë shpërdoruar detyrën përmes korrupsionit, duke marrë ryshfet nga studentët.

“Jo më larg se sot janë arrestuar katër pedagogë në Universitetin e Shkodrës për korrupsion, asnjë media nuk flet. Pse? Sepse policia së bashku me prokurorinë kanë mbuluar ngjarjen. Janë të arrestuar që në mëngjes, janë kapur flagrancë edhe nuk janë publikuar emrat. Kanë marrë ryshfet nga studentët për provimet. Unë e kam informacion të brendshëm, kanë ndryshuar dhe prokurorin dhe e mbajnë sekret”, tha avokati.

Pas deklaratës së avokatit, ka reaguar Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” ku shprehet se nuk ka asnjë dokument zyrtar që provon se ka të arrestuar.

“Nga të dhënat që disponojmë nuk  ka asnjë dokument zyrtar që të provojë se është ndërmarrë procedurë arrestimi ndaj ndonjë pedagogu të USH-së”, shkruan Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”.

Pas universitetit reagoi edhe Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër,

“Në lidhje me një lajm të publikuar në rrjetet sociale, ku thuhet se Policia e Shkodrës ka fshehur arrestimin për korrupsion të 4 pedagogëve në Universitetin e Shkodrës, sqarojmë opinionin publik se: Asnjë nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe ato në varësi të saj, gjatë ditës së sotme (26 prill 2024) nuk kanë kryer veprime procedurale për arrestimin e tyre. Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër është e angazhuar për të qenë transparente me median dhe publikun”, sipas njoftimit.

Top Channel