Kasta politike e fillimviteve 90” ishte formuar në komunizëm, me atë kulturë e mentalitet, megjithëse kumtonte premisën idealiste “e duam Shqipërinë si gjithë Europa” e duke thirrur Liri-Demokraci me simbolin e dy gishtave lart.

Gazeta “Koha Jonë” ishte e para dhe e vetmja që pasqyronte në faqet e saj mendimet e të gjithë krahëve politikë.

Kjo sot është normë, por në ato vite ishte një gazetari që bëhej pa rregulla, pa standarde dhe nuk kishte një shkollë gazetarie.

“Lexuesi merrte një gazetë që kishte të gjitha gjërat brenda. Pastaj nga pak e nga pak filluam duke hyrë në Tiranë, një fat i dytë, ndonjëherë çuditë rastisin dhe ne I shfrytëzuam për mirë. Nga RD u larguan grupi i famshëm i Genc Ruli, Gramoz Pashko, Arben Imami, Preç Zogaj, Neritan Ceka, Peshkopia, disa emra që publiku i njeh tashmë, erdhën te “Koha Jonë” sepse RD nuk i botonte, te ZP nuk donin ata. Ndoqëm një taktikë që shkrimet ishin me pjesë duke vijuar në numrin tjetër. Lexuesit u shtuan nga 500-5000-10 mijë kopje. Gazeta dilte dy-tre herë në javë.” u shpreh Nikoll Lesi, Botues “Koha Jonë”

Mandej “Koha Jonë” nuk do të mjaftohej vetëm me Lezhën.

“Sandri ishte nga ata që flinte në dengjet e gazetave. Nikolla nuk mbante çadër kurrë. Vinte i lagur nga këmbët deri te koka. Nuk kishim çadër, nuk kishim celularë. Kur shkonim në shtypshkronjë shyqyr zotit aty ishte pak ngrohtë që të ngrohnim pak shpirtin e të nxirrnim numrin nesër. Por them kështu u rrit përmes vështirësive ishte e pamundur të mos bëhej e madhe. Të mos bëhej shpejt kombëtare duke qenë se shkruanin të gjithë penat, të gjitha llojet e penave, duke qenë se u bë realisht e lirë, real u ndesh menjëherë me politikën, me gafat e politikës dhe gabimet e saj, pati përplasje të tmerrshme që në fillim. Ajo e bëri gazetën që Lezha të mos e nxinte më. Ishte tepër e vogël.” u shpreh Zef Shtjefni, Bashkëthemelues “Koha Jonë” 1991

Top Channel