Tensioni gjatë ndeshjes me Tiranën, arrestohen dy drejtuesit e Kastriotit

09/05/2021 18:22

Presidenti i Kastriotit, Alban Vogli dhe drejtori teknik Gazmend Vogli kanë përfunduar në prangat e policisë, pas incidenteve të ndodhura ditën e djeshme në stadiumin “Selman Stërmasi”, gjatë sfidës mes Tiranës dhe krutanëve.

Të dy drejtuesit e lartë të klubit krutan nuk e kapërdinë dot golin e shënuar nga Tirana, ndërkohë që kërkuan një ndalje të lojës për t’i ardhur në ndihmë futbollistit të tyre dhe në tension e sipër zbritën edhe në fushën e lojës.

Situata u tensionua shumë dhe drejtuesit e Kastriotit kërkuan që ekipi i tyre të braktisë ndeshjen, por pas disa minutash ndërprerje, skuadrat u kthyen në fushë dhe luajtën minutat e mbetura të sfidës, që u mbyll me fitoren minimale 1-0 të Tiranës.

Për të nxjerrë jashtë stadiumit “Selman Stërmasi” dy drejtuesit e lartë të Kastriotit, u desh edhe ndërhyrja e forcave të rendit, që fillimisht bënë shoqërim të Alban dhe Gazmend Voglit dhe më pas u komunikuan urdhrin e arrestit.

Në komunikatën për mediat, Policia e Shtetit sqaron se Alban dhe Gazmend Vogli u arrestuan me akuzën për kundërshtim me dhunë të forcave të rendit, pasi kanë qëlluar dy prej tyre dhe prishte të aktivitetit sportiv.

Klubi i Kastriotit po lufton për mbijetesën në Superiore dhe fakti që kampionati është shumë pranë fundit, ka bërë që tensioni të rritet, pasi tashmë çdo pikë e humbur apo e fituar, peshon jashtëzakonisht shumë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA