Facebook ka mbyllur një rrjet prej qindra llogarish dhe faqesh të rreme që kishin në shënjestër njerëzit në Ukrainë dhe që ishte i lidhur me individë të ndëshkuar më parë me sanksione nga Shtetet e Bashkuara për përpjekjet për të ndërhyrë në zgjedhjet amerikane, tha kompania të enjten.
Facebook tha se rrjeti menaxhoi një fushatë mashtruese për një kohë të gjatë nëpër platforma të shumta të mediave sociale dhe faqet e tjera të internetit, duke u paraqitur si media e pavarur e lajmeve dhe duke promovuar përmbajtje të favorshme për politikanë të caktuar ukrainas, përfshirë aktivitetin që mund të ishte me pagesë. Kompania tha se ajo filloi hetimin pas marrjes së një informacioni nga FBI-ja.
Facebook ia atribuoi aktivitetin individëve dhe entiteteve të ndëshkuara me sanksione nga Departamenti amerikan i Thesarit, përfshirë politikanin Andriy Derkach, një ligjvënës pro-rus i cili u vendos në listën e zezë nga qeveria e Shteteve të Bashkuara në shtator për shkak të akuzave se ai u përpoq të ndërhynte në zgjedhjet amerikane në 2020, të fituara nga Presidenti Joe Biden. Facebook tha se kishte mbyllur llogaritë e zotit Derkach në tetor të vitit 2020.
Zoti Derkach i tha agjencisë së lajmeve Reuters se do të bënte një deklaratë mbi hetimin e Facebook-ut të premten. Facebook gjithashtu tha se konsulentët politikë të rrjetit ishin të lidhur me politikanin ukrainas Oleh Kulinich dhe ish-kryeministrin e Ukrainës, Volodymyr Groysman. Kulinich nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për koment. Reuters nuk arriti të binte menjëherë në kontakt me zotin Groysman për të marrë një reagim.
Facebook tha se përveç promovimit të këtyre politikanëve, rrjeti ka promovuar edhe materiale pozitive për aktorë të ndryshëm në të gjithë spektrin politik, me gjasë si një shërbim i paguar. Kompania amerikane tha se aktiviteti që ajo hetoi filloi rreth vitit 2015, ishte i përqendruar vetëm në Ukrainë dhe ka postuar edhe përmbajtje anti-ruse.
“Këta operatorë mund të konsiderohen si mercenarë që dëshironin të ushtronin ndikim, duke ofruar në shkëmbim të një pagese shërbimet e tyre jo-autentike në internet për qarqet politike ukrainase”, tha Ben Nimmo, udhëheqës i operacioneve të ndikimit global në kompaninë e Facebook-ut, në një telekonferencë me gazetarët.
Ekipi hetues i Facebookut tha se Ukraina, e cila ka qenë ndër burimet kryesore të “operacioneve të koordinuara jo-autentike” është bazë e një numri në rritje të fushatave të ndikimit që ofrojnë këto shërbime me pagesë. Facebook tha se ka mbyllur 363 faqe, që u pasua nga mbyllja e rreth 2.37 milionë llogarive, dhe 477 llogari nga ky rrjet për shkeljen e rregullave të tij. Hetuesit e kompanisë Facebook thanë gjithashtu se rrjeti i sapombyllur kishte shpenzuar rreth 496,000 dollarë për reklama të shfaqura në Facebook dhe Instagram./VOA
Top Channel