Pamje të rralla publikoheshin sot nga mediat të njësisë së maternitetit ku ndodhi lindja spektakolare e nëntë bebeve të parakohshme nga një nënë nga Mali.
Doktorët tregonin sot sesi sollën në jetë pesë bebet vajza e katër bebet djem nga një bark i vetëm, të cilet raportohet se janë të gjithë në gjendje “të mirë” shëndetësore.
Nëna e tyre 25 vjeçare Halima Cisse, nga Timbuktu në Mali, kishte pritur shtatë bebe sipas ekografisë, por mjekët u shokuan kur gjetën dy më shumë pasi i nxorrën me prerje çezariane.
Nëna e bebeve pritet të kthehet në shtëpi pas dy javëve, tha sot ministri i shëndetësisë Fanta Siby duke konfirmuar se dhe ajo është mirë, “pas gjakderdhjes së madhe dhe transfuzionit të gjakut” që pasoi.
Nëntënjakët e zonjës Cisse janë vetëm lindja e tretë e tillë e regjistruar ndonjëherë nga njeriu, por në dy rastet e mëparshme në Australi e Malajzi, shumica e bebeve humbën jetën pak pas lindjes.
Nëse të nëntë bebet e saj mbijetojnë, do të ishte një rekord i ri botëror që kalon atë të nënës së tetë-fishtë Nadya Suleman në 2009 ne SHBA, bebet e të cilës mbijetuan të gjitha.
Në pamjet e shpërndara nga klinika private Ain Borja në kryeqytetin maroken Casablanca shihej sesi doktorët e infermierët punonin për të siguruar mirëqenien e bebeve.
Doktor Yazid Mourad tha se bebet lindën 7 javë para kohe, por dhe kjo erdhi pasi mjekët u munduan të shtynin sa më shumë lindjen për të shtuar shanset e mbijetesës.
“Nëna qëndroi në spital prej pesë javësh dhe ne arritëm të shtynim lindjen e tyre me pesë javë me kujdesin dhe trajtimet e nevojshme. Tanimë shumica e bebeve janë të lidhur me oksigjenin por në pamje të parë janë mirë”, tha Dr Mourad.
Zoti Cissse, babai i fëmijëve, që ndodhet ende në Mali ne vajzën e çiftit, tha se është i lumtur për fëmijët. “Zoti na i dha këta fëmijë, ai vendos çfarë do të ndodhë me to. Kur i Madhërishmi ben dicka, ai e di arsyen përse. Kam marrë shumë, shumë urime. Edhe presidenti më ka telefonuar”, thotë ai.
Nuk janë të qarta detajet e lindjes së zonjës Cisse, por lindjet e shumëfishta zakonisht janë rezulatat i trajtimit artificial të fertilizimit. Në këto raste, disa vezë fertizilohen njëkohësisht dhe implantohen në mitrën e gruas për të rritur së më shumë shanset e shtatzanisë.
Top Channel