Kolumbia siguron kualifikimin, Munoz vendos sfidën ndaj RD Kongos dhe dërgon “Los Cafeteros” në fazën me eliminim direkt

24/06/2026 07:59

Kolumbia ka prerë biletën për në raundin e 32 skuadrave të Kupës së Botës 2026, pasi mposhti me rezultatin minimal 1-0 Republikën Demokratike të Kongos në ndeshjen e Grupit K, të zhvilluar në “Estadio Guadalajara”.

Amerikano-jugorët dominuan që në minutat e para dhe krijuan një sërë rastesh të pastra shënimi.

Daniel Muñoz ishte pranë golit që në fillim, ndërsa portieri Lionel Mpasi u bë protagonist me disa pritje vendimtare ndaj Jhon Arias dhe Luis Díaz, duke mbajtur në lojë përfaqësuesen afrikane.

Kolumbia gjeti edhe rrugën e rrjetës në pjesën e parë, por goli i Muñoz u anulua për pozicion jashtë loje. Pavarësisht dominimit të plotë dhe pesë goditjeve në kuadrat para pushimit, skuadra e Néstor Lorenzos nuk arriti të zhbllokonte rezultatin në 45 minutat e para.

E njëjta tablo vazhdoi edhe pas rikthimit nga dhomat e zhveshjes, me Mpasi që vijoi të ishte pengesa kryesore për kolumbianët.

Megjithatë, në minutën e 76-të erdhi momenti vendimtar. Daniel Muñoz gjeti cepin e portës me një goditje të saktë dhe realizoi golin e dytë personal në këtë Botëror, duke i dhënë avantazhin ekipit të tij.

Luis Díaz dërgoi topin në rrjetë edhe dy herë të tjera, por të dy golat u anuluan, njëri për faull dhe tjetri për pozicion jashtë loje. Në fund, Kolumbia administroi avantazhin dhe siguroi tri pikë të merituara.

Me këtë fitore, Kolumbia ngjitet në krye të Grupit K dhe siguron matematikisht kualifikimin në raundin e 32 skuadrave.

Në ndeshjen e fundit të grupit ndaj Portugalisë, një fitore ose barazim do t’i mjaftojë për të mbyllur fazën e grupeve në vendin e parë.

Kolumbi 1-0 RD Kongo
Daniel Muñoz 76’

Top Channel