Bashkimi Europian kërkon nga Shqipëria mos të humbë kohë në ngritjen e parlamentit të ri dalë nga zgjedhjet e 25 Prillit. Komisionerit për Zgjerim, Oliver VARHELYI ia bëri të qartë politikës shqiptare se pa një parlament funksional nuk mund të bëhet përparim drejt BE-S.

Varhelyi: Pas një fushate zgjedhore mjaft të zjarrtë dhe debate të zjarrta, gjëja që na nevojitet tani janë rezultate të qarta përfundimtare dhe më është thënë që ka filluar procesi, pra periudha e apelimit, kështu që ne dëshirojmë të shikojmë të gjitha parregullsitë, qoftë edhe blerjen e mundshme të votave që të ndiqet nga të gjitha autoritetet gjyqësore, por pas këtij procesi do të na duhen rezultate përfundimtare. Pra, pas rezultateve përfundimtare do të na duhet që Kuvendi i Shqipërisë të fillojë nga puna e vet shumë shpejt për reformat e BE. Pa një parlament të plotë, nuk është e mundur që të ecet përpara në rrugëtimin tuaj drejt Bashkimit Europian, dhe ka ende shumë punë për të bërë.

Edhe njëherë tjetër kësaj here në prezencë të komisionerit për zgjerim kryeministri Rama ritheksoi gatishmërinë e bashkëpunimit me opozitën.

Rama: Bindja dhe vullneti im është që mandati i tretë të mos i ngjajë dy të parëve në aspektin e luftës së brendshme politike. PS-ja do ta braktisë llogoren e asaj lufte të vjetër, bajate, banale, krejt të panevojshme për vendin dhe për sa më takon dhe për sa na takon, ne do të fokusohemi plotësisht tek punët e mëdha për të cilat jemi votuar dhe do ta mbajmë dorën të shtrirë, pa asnjë ndërprerje, për opozitën, për PD-në. PD-ja është e mirëpritur, kurdoqoftë dhe sidoqoftë, të kthehet me këmbë në të tokë për të hapur një proces diskutimi krejtësisht pa asnjë kusht për mënyrën se si ne mund të kontribuojmë bashkërisht, për të shtyrë sa më shumë përpara punët dhe patjetër dhe integrimin europian të Shqipërisë.

Bashkimi europian i ka akorduar Shqipërisë 145.000 doza vaksina falas si pjesë e shpërndarjes nga mekanizmi BE për Ballkanin Perëndimor nga të cilat 20.000 vinë deri në fund të majit ndërsa e gjithë sasia deri në fund të gushtit. Por a do të lehtësohen procedurat e lëvizjes së shqiptarëve drejt BE-së.

Komisioneri-: Ne i kemi bërë një propozim shteteve anëtare dhe shtetet anëtare e marrin këtë vendim, pra, vendimin se si do të ecet përpara, si do të procedohet. Është një rekomandim që ne propozojmë, në rekomandimet tona, ne kemi sugjeruar që shtetet anëtare të hapin sërish kufijtë dhe të lejojnë edhe qytetarët e shteteve të tjera të hyjnë në BE, në veçanti nga Ballkani Perëndimor, edhe pa patur për arsye thelbësore, pra, që të rifillojë udhëtimi i tyre.

Rama: Shqipëria nuk do të vendosë asnjë kusht e asnjë pengesë për të gjithë ata që duan të vijnë në Shqipëri për një sezon turistik që, siç e kam thënë më parë, duhet të jetë një sezon shumë më i lehtë se ai i shkuari. Me shumë kënaqësi po ndjek të gjithë procesin e prenotimeve e të kërkesave që rriten vazhdimisht nga vende të tjera për të ardhur, për të kaluar pushimet në Shqipëri.

Pas takimit me Komisionerin PD lajmëron se kryetari i PD Basha e njohu atë me manipulimet masive që i janë bërë procesit zgjedhor, përmes shitblerjes së votës, përdorimit të personave me precedentë kriminal.

Top Channel