Këngëtarja e ish-grupit skandaloz të dy vajzave ruse“Tatu”, Yulia Volkova ka hedhur kandidaturën për deputete duke hequr dorë nga muzika ‘pop’ në favor të politikës.
Ish-anëtarja e dyshes së vajzave homoseksuale, ose siç pretendonin se ishin në muzikën e tyre, do të kandidojë në zgjedhjet parlamentare të shtatorit, duke u zotuar se ‘do të mundë të gjithë rivalët e Vladimir Putin’.
Ajo ka marrë tashmë mbështetjen nga partia në pushtet Rusia e Bashkuar.
“Kam bërë hapin e parë,” tha ajo, duke refuzuar të përgjigjet për idetë e saj politike apo pikëpamjet personale.
Tetëmbëdhjetë vjet më parë ajo dhe kolegia e grupit Lena Katina shkaktuan sensacion kur hynë furishëm në skenën muzikore botërore me grupin Tatu.
Shumica e sensacionit të tyre ishin imazhet dhe prekjet erotike me njëra-tjetrën, teksa mbanin veshur uniforma shkolle.
Në kulmin e karrierës së tyre Volkova e Katina, të dyja tashmë 36 vjeçe, sfiduan kritikët duke arritur në majat e listave të këngëve më të dëgjuara në Perëndim, përveçse në Rusi.
Sergei Perminov, sekretari i këshillit të partisë Rusia e Bashkuar, konformoi se Volkova është regjistruar për zgjedhjet paraprake të kandidatëve.
“Ne jemi një parti e hapur dhe i ftojmë të gjithë të marrin pjesë në procesin e selektimit”.
Partitë pro-Putin në Rusi po përpiqen të rekrutojnë fytyra të reja kandidatësh.
Pas ndarjes ë grupit në 2011, Volkova nisi një karrierë solo si aktore e këngëtare.
Dy vjet më parë ajo ishte në faqet e para të gazetave për një operacion plastik që i ndryshoi fytyrën duke e bërë “më të frikshme”.
Megjithse Tatu konsiderohej si një fenomen i rremë lesbikesh, Volkova sugjeron se ka qenë gjithmonë “biseksuale”.
“Më pëlqejnë djemtë edhe vajzat,” thotë ajo.
“Edhe burri im aktual Volodya, i ulur para meje, i di historitë e mia me vajza”.
Top Channel