Denoncimi Fiks Fare/ Skema e shitjes së votës, 1 votë 100 mijë lekë/ Qytetarët japin ID-në kundrejt parave, të tjerët votojnë për ta

28/04/2021 20:49

Fiks Fare transmetoi mbrëmjen e së mërkurës skemën e shit-blerjes së votës në zgjedhjet e 25 prillit. Fenomeni i shitblerjes së votës nuk mungoi as në këto zgjedhje dhe këtë e faktoi me figurë dhe audio emisioni investigativ Fiks Fare. Në ambientet e jashtme të një qendre votimi në Njësinë nr 2 Tiranë, të prezantuar si përfaqësues të LSi-së jepnin 100 mijë lekë të vjetra në këmbim të një karte identiteti.

Pas disa të dhënave që kishin gazetarët e Fiksit se pranë një QV në Njësinë nr 2 disa të rinj rrinin jashtë dhe të ofronin lekë në këmbim të kartës së identitetit, një prej gazetarëve u paraqit në ketë qendër votimi. Teksa kërkon emrin në listat e afishuara për të votuar i afrohet një person i cili e pyet nëse a ka votuar. Gazetarja i përgjigjet se nuk ka votuar ende dhe po kërkonte emrin e vetë dhe të familjarëve në list. Në këto momente i riu i prezantohet si përfaqësues i LSI-së dhe i kërkon të flasin privatisht në një ambien më pak të vëzhguar. Ai e pyet se sa veta bëhen familjarisht që kanë të drejtë vote. Gazetarja e Fiksit i përgjigjet se janë 4 veta që votojnë në familjen e saj dhe në këto momente ai i kërkon fshehtësi të plotë mbi atë që do t’i kërkojë në këmbim. Ai i kërkon që të votojnë LSI-në kundrejt pagesës.

Gazetarja e Fiksit e pyet si mund ta bëj këtë duke hyrë brenda e duke votuar për subjektin politik Lëvizja Socialiste për Integrim, por përfaqësuesi i kësaj partie pohon ” Nuk të thotë njeri t’i japësh votën, vetëm kartën e identitetit. Kaq!” shprehet ai. Ai më pas i tregon se ata nuk duhet të votojnë vetëm t’i japin kartat e identitetit dhe procesin e votimit do e bënin ata me kartat e familjarëve. ” E rregullojmë ne atë punë, për gjysmë ore t’i sjellim kartat prapë” shprehet përfaqësuesi i LSI-së. Ai i kërkon që gazetarja e Fiksit të komunikojë edhe me familjarët e saj e më pas të vendosi nëse do e shesin votën apo jo? Por në çdo moment përfaqësuesi i LSI-së kërkon fshehtësi të plotë dhe që gazetarja të mos flasi me asnjeri për këtë gjë. Pyetjes së gazetares se nëse do e gjente sërish aty kur të kthehej ai i përgjigjet “Këtu jam unë pa merak”.

Më pas gazetarja largohet për të marrë kartat e identitetit dhe kur rikthehet e gjen aty përfaqësuesin e LSI-së. Sapo e sheh djali i futet në makinë dhe i kërkon të dijë se çfarë vendosën si ajo edhe familjarët e saj. Kur gazetarja i pohon se janë dakord me propozimin e tij i jep katër karta identiteti dhe përfaqësuesi i jep plot 400 mijë lekë të vjetra, të gjitha prerje 20-çe.

Para se ai të bëjë këtë veprim i kërkon gazetares nëse i ka fikur telefonat për të qenë të sigurtë. Ai merr katër kartat e identitetit dhe i tregon gazetares që as ajo as familjarët e saj nuk kanë për të shkuar për të votuar, pasi veprimet do të bëheshin nga ata. Pyetjes së gazetares së Fiksit se si do t’i ktheheshin kartat e identitetit, përfaqësuesi i LSI-së i tha se do t’ia çonte personalisht ai në shtëpi pasi të mbaronte procesi i votimit. Gazetarja i kërkon të shkëmbejnë numrat e telefonit, por përfaqësuesi nuk pranon madje as të identifikohet me emër. E vetmja gjë që i thotë është që ajo mos të ketë merak për kartat dhe t’u thojë edhe familjarëve që kanë votuar për LSI-në ” thjesht ta dinë kupton”. Gazetarja i pohon se ka pak frikë pasi ajo që po bëjnë nuk është e ligjshme, të dyja palët po shkelin ligjin, ajo shet votën ndërsa përfaqësuesi po ia blen. ” Mos na dali ndonjë gjë e përfundojmë në burg” e pyet gazetarja e Fiksit , ” Ça burgu, mos e vrit mendjen s’ka asgjë të tillë” pohon përfaqësuesi i LSI-së duke marrë kartat e identitetit dhe duke u larguar nga makina.

Por edhe një skemë tjetër më e moderuar është parë që praktikohet shumë sa herë është fushatë zgjedhjesh. Ajo e shpërndarjes së pakove me ushqime. Në zyrën e shtabit të Partisë Demokratike në Laprakë, një ditë para zgjedhjeve,bashkëpunëtorët e Fiks Fare kanë kapur makina të cilat mbushnin bagazhet me ushqime e më pas i shpërndanin. Njëri prej bashkëpunëtorëve të Fiksit hyri brenda kësaj zyre elektorale dhe në këmbim të votës iu premtua një vend pune për të bijën. Ai i tregon përfaqësuesit të PD-së se ka pesë familjarë që kanë të drejtë vote . Përfaqësuesi i PD-së i tregon se në atë zonë kandidon Albana Vokshi dhe shprehet i gatshëm ta ndihmojë kundrejt votave për PD-në, pasi siç shprehet ai fitorja e PD-së është e 1000 % sigurtë në 25 prill. Brenda zyrës së shtabit elektoral të Laprakës në dyshemenë e saj duken qartazi edhe pakot e shumta me ushqime.

FOTO GALERI
7/9

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA