Shqipëria voton pas rreth 7 orësh në zgjedhjet parlamentare. Në të shtunën e heshtjes zgjedhore, autoritetet kanë vijuar përgatitjet për procesin e votimit sot.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi në mbrëmje rreth orës 19:30 se përfundoi shpërndarja e materialeve zgjedhore në të gjitha qendrat e votimit në administrim të 28 KZAZ-ve. KQZ gjithashtu informoi se procesi ka qenë normal dhe nuk ka patur probleme. Janë rreth 3.6 milionë persona me të drejtë vote, ku përfshihen edhe shqiptarët rezidentë në shtete të tjera.

Sot votuesit do të zgjedhin 140 deputetët e parlamentit të ardhshëm mes rreth 1,800 kandidatëve nga 12 parti politike ose koalicione dhe kandidatë të pavarur. Shqiptarët sot kanë një provë të fortë demokracie. Kjo ditë dhe standardet që do të krijohen nga këto zgjedhje do jenë një hap i rëndësishëm në lidhje me demokracinë dhe fatin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Do jeni vetë ju dhe forcat politike që mbështesni që do vendosni nëse ky hap do jetë para, duke realizuar zgjedhje të lira dhe të ndershme, apo pas duke prekur votën. Një garanci që zgjedhjet të jenë të lira është transparenca dhe Top Channel do të bëjë rolin e tij në këtë drejtim. Sot do të jemi të pranishëm me grupet tona të gazetarëve në të gjitha qytetet e vendit për të treguar se si po ecën procesi zgjedhor.

Këto zgjedhje padyshim do kenë vëzhguesit e tyre, por Top Channel premton të jetë syri dhe veshi i publikut për të treguar në kohë reale minutë pas minute zgjedhjet.

Top Channel