“I dënuari goditi efektivin me ekspres kafeje në burgun e Burrelit”, reagon Drejtoria e Burgjeve: Efektivi jashtë rrezikut për jetën

26/11/2026 22:00

Pas lajmit për sulmin ndaj punonjësit të Policisë së Burgjeve në IEVP Burrel, ka reaguar zyrtarisht Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, e cila ka konfirmuar incidentin dhe ka dhënë detaje mbi rrethanat e ngjarjes.

Sipas njoftimit, i dënuari Dritan Imeri ka goditur në befasi me një ekspres kafeje inspektorin Agron Bebja, duke i shkaktuar dëmtime në kokë. Drejtoria bën me dije se efektivi ka marrë ndihmë mjekësore dhe se gjendja e tij shëndetësore nuk paraqet rrezik për jetën.

NJOFTIMI PËR SHTYP – “Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve informon se, në IEVP Burrel, gjatë kryerjes së shërbimit nga strukturat e sigurisë, është regjistruar një incident me pasoja për shëndetin e një punonjësi të Policisë së Burgjeve.

Në momentin e hapjes së derës së dhomës së banimit, i dënuari Dritan Imeri ka ndërmarrë një veprim të dhunshëm ndaj punonjësit të grupit të sigurisë, inspektor Agron Bebja, duke e goditur në befasi me një ekspres kafeje dhe duke i shkaktuar dëmtime në zonën e kokës.

Menjëherë pas incidentit, strukturat e sigurisë kanë ndërhyrë për neutralizimin e situatës, duke bërë të mundur ndërprerjen e veprimeve të dhunshme dhe rikthimin e kontrollit në institucion.

Inspektorit iu dha ndihma e parë në ambientet e IEVP Burrel dhe më pas u shoqërua për vizitë mjekësore në Spitalin e Matit. Sipas vlerësimit të mjekëve, gjendja e tij shëndetësore nuk paraqet rrezik për jetën

Pas marrjes së informacionit për incidentin, drejtues të lartë të Policisë së Burgjeve pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve kanë mbërritur në IEVP Burrel për të ndjekur nga afër situatën dhe për të vlerësuar masat e marra. Në vijim, ata kanë vizituar punonjësin e dëmtuar në banesën e tij, pas daljes nga spitali, duke i shprehur mbështetjen dhe solidaritetin institucional.

Për rastin është përpiluar raporti përkatës i incidentit, ndërsa janë njoftuar autoritetet kompetente dhe AMSEVP për vijimin e veprimeve procedurale dhe trajtimin e mëtejshëm të ngjarjes, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dënon me vendosmëri çdo akt dhune ndaj punonjësve të Policisë së Burgjeve, të cilët përmbushin detyrën e tyre në garantimin e sigurisë, rendit dhe zbatimit të ligjit në institucionet penitenciare.

Njëkohësisht, Drejtoria shpreh mbështetjen e plotë për punonjësit e Policisë së Burgjeve dhe garanton marrjen e masave për mbulimin e shpenzimeve mjekësore të punonjësit të dëmtuar, deri në rikuperimin e plotë të gjendjes së tij shëndetësore, duke i uruar atij shërim të shpejtë”.

Top Channel