Një incident ka ndodhur në Fushë Arrëz në përfundim të procesit të votimit. Një punonjës policie, i identifikuar si Gëzim Osmanaj është plagosur me thikë nga një 32-vjecar, i cili është arratisur.
Burime për Top Channel bëjnë me dije se 32-vjeçari Mikel Lleshaj ka qenë nën efektin e alkoolit dhe i është afruar qendrës së votimit në momentin që ajo po mbyllej. Pasi ka debatuar me komisionerët dhe policin, ai ka goditur këtë të fundit me thikë.
Aktualisht po punohet për kapjen e tij ndërsa në vendin e ngjarjes ka mbërritur grupi hetimor për të zbardhur rrethanat e incidentit.
“Më datë 25.04.2021, rreth orës 19:00, gjatë mbylljes së procesit të votimit, në momentin e mbërritjes në QV nr. 0399, është plagosur me mjet preres (thikë), punonjësi i Policisë G. O., i cili po dërgohet për mjekim në spitalin e Pukës.
Nga veprimet e para hetimore është bërë identifikimi i autorit të dyshuar, shtetasi M. Ll., 32 vjeç, banues në fshatin Qafë Mali, Pukë dhe po punohet për kapjen e tij.
Në vendngjarje, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pukë , po vijon punën për sqarimin e rrethanave të kësaj ngjarjeje”, njofton policia.
Top Channel